Lajme

“Serbia, me shumë gjasë me dijeninë dhe udhëzimet e Vuçiç-it, formoi grupin terrorist për të sulmuar KFOR-in dhe Kosovën”, përfundimet e raportit të Qeverisë së Kosovës


Milan Radojiçiç ne bazen e ushtrise serbe

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ka përgatitur një raport preliminar prej mbi 50 faqesh ku jepen fakte për të dëshmuar se aksioni terrorist nga paramilitarët në Banjë të Zveçanit ishte i lidhur direkt me shtetin e Serbisë.

“Paramilitarët u nisën nga Novi Pazari, Serbi, në mbrëmjen e 23 shtatorit, dokumentohet edhe me foto, e bërë në orën 16:39, e gjetur në telefonin e njërit prej liderëve të këtij grupi”, thuhet në raport.

Foto nga raporti i Qeverise se Kosoves. Nga e djathta: Vladimir Radivojeviç dhe Ugljesa Jarediç

“Në orët e hershme të 24 shtatorit, 2023, grupi u fut në Kosovë duke përdorur një rrugë ilegale afër pikëkalimit kufitar të quajtur ‘Izvor’, rruga më e shkurtër që e lidhë Novi Pazarin me fshatin Banjë, në komunën e Zveçanit”, vazhdon sqarimi.

“Bazuar në deklaratën e njërit prej të arrestuarve, udhëtimi i tyre është bërë në grupe dhe në mënyrë të organizuar”.

Tri deri në katër automjete vazhduan rrugën drejt fshatit Banjë, sqaron raporti.

Distanca nga kufiri në Manastirin e Banjës është 14 kilometra. Operacioni ishte udhëhequr nga Milan Radojiçiç.

Makinat e kamufluara nga paramilitaret

Raporti tregon se “për t’u futur në Kosovë nga Serbia, paramilitarët kishin përdorur makina kamuflazh duke i bërë ato të dukeshin sikur automjete të forcave të KFOR-it. Makina e Milan Radojiçiç ishte mbështjellur me një mbështjellës ngjyrë ushtrie. Në pjesën e pasme të veturës ishte vendosur një logo e KFOR-it dhe gjithashtu shenja ‘CD’ që iu vendosen veturave diplomatike”.

Në raport thuhet se “arsyeja përse u zgjodh Banja është për faktin se ajo pjesë aktualisht është nën influencën e strukturave ilegale kriminale në të cilat ka investuar Serbia, i ka sponsorizuar, dhe vazhdon t’i kontrollojë përmes emërimit të personelit nga Serbia dhe përmes burimeve financiare. Rëndësia e dukshme e Manastirit të Banjës, bashkuar me kalkulimet për pasoja në civilë, ka shërbyer si kamuflazh perfekt për të portretizuar mashtrueshëm një aksion të policisë së Kosovës si një sulm ndaj Manastirit, saktësisht në kohën kur kishte pelegrinë nga Serbia dhe Maqedonia Veriore”.

Vendosja e grupeve terroriste

Sipas raportit të Qeverisë së Kosovës, “grupi i parë i paramilitarëve raportohet që të jetë vendosur në shtëpinë pritëse të Manastirit të Banjës (shtëpia me formën L) dhe të tjerët ishin shpërndarë në fushat rreth manastirit. Dy grupet të tjera mbështetëse janë vendosur në dy kodrat afër fshatit të Banjës”

“Në shtatorin e ditës 24 në orët e hershme të mëngjesit, paramilitarët serbë të udhëhequr nga Radojiçiç bllokuan urën në hyrje të fshatit Banjë me dy kamionë që kyçja në këtë fshat përmes rrugëve të bëhej e pamundur”.

Lidhjet e grupit me Vuçiç-in dhe shtetin serb

Serbia i garanton lëvizje të papenguar Radojiçiç-it në Serbu, madje mbrojtje të nivelit të lartë.

Lidhjet e Radojiçiç me ushtrinë serbe u forcuan edhe më shumë pasi presidenti serb Aleksandër Vu֛çiç instaloi pasardhësin e tij në krye të partisë, ministrin e Mbrojtjes Vuçeviç.

Raporti thotë se “lidhjet e tyre kryesisht janë të mundura përmes partnerit në krim, Zvonko Veselinoviç-it, një mbështetës i kamotshëm i Vuçeviç-it në politikat lokale në Novi Sad. Për më tepër, Radojiçiç ka lidhje të afërta me Shefin e Stafit të Ushtrisë Serbe, Mojsiloviç, që është me origjinë nga Kosova”.

“Mes të tjerëve, njësitet speciale të ushtrisë serbe të quajtura ‘Kombra’ operojnë nën komandën e shefit të stafit të Ushtrisë. Radojiçiç është thellësisht i lidhur edhe me strukturat në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe i mbrojtur nga policia serbe. Policia e Serbisë në pjesën e Rashkës, Novi Pazarit dhe pjesë të tjera farë Kosovës kanë marrë urdhra të qarta për ‘njerëzit e Radojiçiç-it’ që nëse ndonjë veturë e tyre ndalohet për çfarëdo arsye, ata duhet të lirohen dhe nuk duhet t’u kërkohen dokumente”, tregon raporti.

“Radojiçiç edhe tash rishtazi emëroi shumë nga të besuarit e tij në pozita kyce atje. Radojiçiç është po ashtu në lidhje të afërta me drejtorin e një nga drejtorive kryesore të shërbimit inteligjencë serb BIA, Bojan Dimiç”.

Dokumentet që lidhin Serbinë me paramilitarët në sulmin terrorit në Banjë

Milan Radojicic

Bazuar në dëshmitë, mund të konstatohet një lidhje direkte në mes të shtetit të Serbisë dhe sulmit.

Përshtatja e dokumenteve dhe armëve nga ushtria serbe provojnë lidhjen direkte të shtetit të Serbisë.

Një dokumenti i nënshkruar i ushtrisë me inicialet e shtetit të Serbisë në një minë, gjithashtu edhe mjete të tjera janë gjetur që kanë këtë ndërlidhje.

Janë gjetur gjithashtu edhe simbole të ushtrisë serbe, të bartura nga paramilitarët.

Dokument i leshuar nga ushtria serbe

“Serbia, me shumë gjasë me dijeninë dhe udhëzimet e Vuçiç-it, formoi grupin terrorist për të sulmuar KFOR-in dhe Kosovën”, përfundimet e raportit të Qeverisë së Kosovës

Dokumentet e leshuara nga ushtria serbe

“Serbia, me shumë gjasë nën dijeninë dhe udhëzimet e presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, ka përdorur mënyra të ndryshme për të themeluar dhe instruktuar një grup paramilitar nën udhëheqjen e lidershipit të Radojiçiç dhe strukturave ilegale të Serbisë kundër KFOR-it dhe Kosovës në Veri të Kosovës”, thuhet në përfundime të raportit.

“Për gjatë shumë muajve, ata mbështetën eskalimin duke mobilizuar Ushtrisë Serbe dhe zbarkuar trupat e makineritë në kufi me Kosovën. Pas eskalimit të madh të majit 2023, kur një sulm direkt, i lanifikuar dhe udhëhequr nga Serbia, u bë nga sulmuesit e dhunshëm të ardhur nga Serbia, përkrahë ekstremistëve nga Kosova, për të sulmuar direkt KFOR-in, Vuçiç mori vendim që të eskalojë edhe më tej situatën kundër Kosovës. Në koordinim të qartë me Rusinë, ai instruktoi individë të caktuar brenda inteligjencës dhe strukturave të sigurisë të shtetit të Serbisë, për të planifikuar, përgatitur, trajnuar dhe pajisur grupin paramilitar serb që të përfshihet në konflikt të hapur në Kosovë.

Simbolet e ushtrise serbe te gjetura ne vendin e ngjarjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore