Kosova

Seksizmi në Politikë, Ish presidentja Jahjaga “Nuk isha e përgatitur se do flitej për takat e mija”


Atifete Jahjaga, ish Presidente e Republikës së Kosovës

“Ajo që nuk isha gati, çështja që nuk isha e përgatitur fare, ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë. Debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja ime. Ishin takat e mia“, ka thënë ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një intervistat e rralla, për Albanian Post, kur kujton kohën dhe sfidat që kaloi gjatë mandatit pesë vjeçar në krye të Presidëncës.

Atifete Jahjaga, ishte presidentja e parë grua në Kosovë. Me shumicën e votave të deputetëve, ajo u zgjodh Presidente më shtatë prill të vitit 2011. Por, gjatë këtij mandati si presidente, ajo tregon se shpesh iu nënshtrua komenteve dhe kritikave mizogjene dhe seksiste.

Seksizëm ose diskriminim gjinor, është një paragjykim i bazuar tek seksi ose gjinia, kur njëra palë diskriminohet ose paragjykohet duke pasur më pak fuqi apo privilegje sociale dhe politike.

Të dyja gjinitë janë dhe mund të jenë pjesë e seksizmit, por historikisht këtë e kanë ndierë më shumë gratë dhe vajzat. Seksizmi lidhet me steriotipet dhe rolet gjinore, duke krijuar idenë apo besimin se njëri seks është më superior se tjetri dhe e kundërta.

Seksizmi si term shfaqet për herë të parë rreth viteve 60-të atë kohë ai lidhej më së shumti me nënvlerësimin që u bëhej grave për shkak të shkollimit, pasi që roli i tyre asociohej më shumë me detyrat në familje, rritjen dhe kujdesin për fëmijët.

Por, përfshirja e grave në politikë dhe fusha të tjera të shoqërisë shkaktoi shpesh rihapjen e këtij debati në botë e së fundmi edhe në Shqipëri e Kosovë.

Në Kosovë, edhe pse ka pasur disa hapa pozitivë drejt barazisë gjinore, seksizmi në politikë mbetet një problem i shprehur akoma. Gratë shpesh përjashtohen nga proceset e vendimmarrjes politike dhe perspektivat e tyre nuk përfaqësohen në mënyrë adekuate.

Një shembull i kësaj është fakti se në Kosovë ka pak gra në pozita të larta politike në Kosovë. Duke përjashtuar pozitën e Presidentit e cila në vendin tonë u përfaqësua dy herë nga gratë. Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani e cila edhe aktualisht e gëzon këtë pozitë.

Në një intervistë për Albanian Post, Jahjaga tregon se kur u emërua presidente, nuk ishte e përgatitur se për të do të flitej përtej detyrave dhe obligimeve, përshkak të gjinisë.

“Shërbimi im në Presidencë, si gruaja e parë që mban këtë titull në Kosovë dhe në rajon nuk ishte aspak i lehtë. Kur ju them që nuk ishte i lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e të drejtuarit një shtet, sepse për atë isha e përgatitur profesionalisht dhe psikologjiskëshit. E dija se cilat ishin detyrat, obligimet, e sfidat e detyrës. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë”, ka thënë Jahjaga për Albanian Post.

Ish-presidentja e Kosovës tregon se gjatë mandatit si presidente debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja e saj.

“Ishin takat e mia, ngjyra e flokëve, thonjtë e mi, madhësia e çantave të mia, e pesha ime”, tregon ajo.

Sulmet seksiste ajo thotë se ju bënë në formë të komenteve misogjene nga politikanë e politikane.

“Në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëritë civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte pothuajse fare reagime, përveç nga Rjetit të Grave të Kosovës”.

Komentet dhe kritikat të cilat kishin të bënin me punën dhe mandatin për të cilin ishte thirrur, Jahjaga thotë se i ndihmuan shumë, por jo ato seksiste.

“Kritika konstruktive më kontribuonte edhe mua për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimit ndaj vendit e qytetarëve, por komentet mbi kilogramët e trupit tim, apo gjatësia e flokëve të mi nuk më kanë hyrë aspak në punë, e as nuk më kanë ndihmuar në udhëheqje më efikase”, ka shtuar ajo.

Edhe pse jo drejtëpërdrejtë, gjuhën seksiste në politikë, Jahjaga thotë se e ndjenë akoma edhe tani, 12 vite pas marrjes së mandatit të saj.

“Gjërat nuk kanë ndryshuar aspak”, thotë ajo.

Vendosja e kuotës gjinore ka bërë mrekulli në rritjen e numrit të grave në politikë. Mekanizëm ky i cili u ka ndihmuar shumë gratë në Kosovë, duke i inkurajuar ato që të hyjnë në shërbimin publik.

Por, kjo kuotë, thotë Jahjaga, “nuk ka arritur që plotësisht ta ndryshojë mentalitetin ku pozitat e larta udhëheqëse iu besohen grave. Gratë që udhëheqin parti në Kosovë e Shqipëri mund të numërohen me gishtat e një dore”.

Për të treguar se sa i thellë është ky problem, ajo ka treguar edhe se si funksionon çështja e ndarjes së fondeve për gratë në parti politike.

“Seksizmin brenda partive politike mund ta hasim edhe në mënyrën se si alokohen fondet për politikane dhe politikanë brenda partisë. Politikanëve iu sigurohen makina, çasje të shpejtë në resurse financiare dhe humane të partisë, dhe gatishmëri më e madhe e liderëve të partisë për t’ju vënë në ndihmë. Ndërsa politikaneve iu alokohen shumë më pak nga këto resurse. Në fakt, aq është dramatik ky dallim, sa që e dallon edhe garën politike mes dy gjinive. Kampanjat politike mes tyre dallojnë drastikisht”, është shprehur Jahjaga për Albanian Post.

Seksizëm të shprehur politik, Jahjaga thotë se ka edhe në Kuvend të Kosovës.

“Gjatë bashkëbisedimeve me komisione parlamentare, apo gjatë takimeve ndërpartiake, talljet, fyerjet, misogjinia, e mentaliteti patriarkal janë gjithmonë aty. Janë pjesë e retorikës së përditshme në politikë duke i shtyrë gratë e vajzat në margjina të vendimmarrjes, politikbërjes, e udhëheqjes së institucioneve”.

Për më shumë, ajo thotë se jo në pak raste ekziston edhe stereotipizimi i punëve edhe brenda politikës.

“Politikanet merren me punët e grave siç janë, e që s’do duhej të ishin, të drejtat e njeriut, dhuna në familje, dhuna ndaj grave. Ndërsa punët e politikanëve ndahen mes tyre në siguri, rend dhe ligj, infrastrukturë e deri vonë edhe diplomaci”.

Këtij diskursi seksist ndaj grave në politikë, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se po i kontribuojnë edhe mediat dhe analistët politikë.

“Çasja e tyre ndaj politikaneve është, në të shumtën e rasteve, plotësisht e padrejtë, e pavend, jo etike, dhe aspak profesionale”.

Në fund, Jahjaga ka theksuar se gjuhë seksiste të shprehur, ka edhe mes grash në politikë.

“Numëroj raste të panumërta ku gratë politikane kanë qenë shumë më të ashpra e me të padrejta ndaj grave në politikë”, ka përfunduar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore