Shqipëria

Seanca plenare: Marrëveshja me Pfizer, miratohen tre akte normative


Miratohen tre akte normative në seancën e sotme plenare. Aktet trajtojnë marrëveshjen e furnizimit me vaksinën e Pfizer. Janë dhënë 94 vota pro, pesë kundër dhe tre abstenim.

Sipas deklaratave ne Kuvend, kjo marrëveshje do të lejojë vijimin e procesit të vaksinimit në Shqipëri.

Ky i fundit ka startuar me 975 dozat e para nga një vend i BE, emri i të cilit nuk është bërë publik.

Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e tij, se votimi i sotshëm i hapi rrugën sigurimit të sasisë së dakordësuar të vaksinave. Më tej edhe mundësisë së furnizimit direkt nga Pfizer.

Ai u shpreh se procesi deri më tani në kryeqytet ka rezultuar i suksesshëm. Po ashtu do të vijojë të zgjerohet më tej sipas planit të përcaktuar në rrethet dhe grupet e tjera të popullsisë.

Rama theksoi gjithashtu se plani është parashikuar të realizohet brenda 14 muajve të ardhshëm.

“Qëndra e vaksinimit në Tiranë është hapur dhe po funksionon. Të shtrihet në Shkodër, Vlorë e më tej që aksesi jo vetëm i njerëzve të shëndetësisë, por dhe i moshave të tjera të jetë sa më i lehtë.

Pastaj në proces do bëhet degëzimi i gjithë linjave të infrastrukturës së vaksinimin për ta çuar në çdo qark që të realizojmë skenarin ambicioz për 14 muaj. Vaksinimi ka dy efekte, ai i drejtpërdrejtë të personi dhe këputja e zinxhirit”./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore