Shqipëria

Sa arriti Shqipëria në një vit si anëtare e Këshillit të Sigurimti?


“Shumë falënderime për gjithë botën, që e mirëpriti Shqipërinë dhe kandidaturën e saj”.

Ajo e martë e 4 janarit të vitit 2022, nuk kujtohet domosdoshmërisht nga të gjitha, por me këto fjalë të thjeshta, ambasadori i Shqipërisë në Organitazën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, në mënyrë simbolike, do të vendoste flamurin me sfond të kuq dhe shqiponjë dykrenare të zezë, mes 14 vendeve të tjera të një organi brenda OKB-së (ndër më të lartët), i cili njihet si Këshilli i Sigurimit.

E gjithë kjo, për herë të parë, për një vend të vogël si Shqipëria, me një rezultat performues gjithsesi – në habinë e të gjithëve – tejet të lartë e të qëndrueshëm gjatë gjithë rrjedhës së ngjarjeve vjetore 2022, të cilat kanë qenë jo të pakta.

Në takime formale qofshin, apo konsultime të Këshillit, interesant kombëtare, Shqipëria i ka mbrojtur mbi 400 herë në këtë strukturë.

Mbi 30, kanë qenë rastet kur i është bashkuar konferencave për shtyp, me vendet e tjera të Këshillit, të cilat shfaqnin qëndrime të përafërta me Tiranën zyrtare mbi çështje të paqes dhe sigurisë, zhvillimit, të drejtave të njeriut, apo mbrojtjes së ligjit ndërkombëtar dhe llogaridhënies.

Në fakt, që prej ditës së parë kur Shqipëria ka qenë në këtë tryezë, është nuhatur veçantia e kontributit që do të jepte.

Ulësja e saj në tavolinën gjysmë të patkonjtë, do të ishte në të majtë të superfuqisë më të madhe botërore, SHBA-ve.

Një ngjarje e fortë globale, siç ishte fillimi i luftës në Ukrainë, e vuri Shqipërinë në lëvizje menjëherë brenda strukturës së Këshillit dhe së bashku me palën amerikane, ajo u bë bashkëpenëmbajtëse e kauzës së popullit ukrainas, aty ku zëri i tyre nuk mund të shkonte – tek fuqitë e mëdha.

Përballja me një anëtare të përhershme siç është Federata ruse në KS, ishte e pashmangshme, por Tirana, shumë herë e tregoi se ishte diplomatikisht në lartësinë e duhur.

Për më tepër, teksa paralele të shumta kërkoheshin të hidheshin gjithnjë e më shumë mes pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës në Kosovë në fillimshekullin e ri, ishte Shqipëria, ajo e cila duhet ta qartësonte kauzën.

Këtë, falë edhe përvojës së ambasadorit Hoxha, e arriti më së miri më 27 shtator 2022, kur në një përgjigje të beftë ndaj homologut rus në KS, Alekseyevich Nebenzya, diplomati shqiptar e tregoi në vetën 84 sekonda, se Tirana nuk po bënte shaka dhe aderimin për dy vjet në strukturë, e kishte më se seriozisht.

Të gjitha qëndrimet, morën vëmendje masive nga ana e ndërkombëtarëve dhe përgëzime të shpeshta në rrafshin diplomatik nga partnerët, mbi të gjitha nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Muaji qershor, do të shihte edhe Presidencën e parë shqiptare në Këshill, duke qenë edhe një ndër muajt më të ngarkuar të vitit.

Në tërësi u zhvilluan 46 takime formale dhe joformale të strukturës, u morën tetë vendime dhe u dhanë tetë deklarata të përbashkëta për shtyp.

Një rekord i ri, u vendos nga vendi i vogël po ashtu sa i përket përfaqësimit të shoqërisë civile dhe agjendës së barazisë gjinore, me 19 përfaqësues të shoqërisë civile, ku shumica prej tyre ishin gra.

Gjatë 365 ditëve të para në detyrë, Shqipëria ka qenë pjesë e negociatave fhe vendimmarrjes duke miratuar 54 rezoluta, shtatë deklarata presidenciale dhe 56 deklarata për shtyp, mbi çështje që prekin paqen dhe sigurinë botërore.

Dosja e Kosovës, edhe pse ndonjëherë e pashprehur publikisht për natyrën që vetë Këshilli mbart, ka qenë në piketat kryesore të agjendës së lobimit shqiptar në gjysmën e parë të mandatit.

Në mbledhje të jashtëzakonshme, përfshi edhe një në muajin prill, të formulës së njohur si Arria, Shqipëria kërkoi llogaridhënie për krimet e tmerrshme të luftës të kryera në Ukrainë dhe këtë gjë ka vijuar ta bëjë në mënyrë të vazhdueshme përgjatë kursit të mandatit.

Me një vit tjetër të pritur si anëtare dhe me një Presidencë tjetër në horizont drejt mbylljes së mandatit, shumëkush e pyeste veten në fillim se çfarë një vend i vogël ballkanik, mund të bëjë në një tryezë aq të madhe globale, me rëndësi të jashtëzakonshme për diplomacinë botërore.

Sot, pyetja nuk përmblidhet më në “çfarë” do të bëjë Shqipëria, por “sa më shumë se kaq”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore