Shqipëria

Shqipëria drejton një nga takimet më të rëndësishme të vitit në Këshillin e Sigurimit – Çfarë është formula Arria dhe si do ta ndihmojë Ukrainën?


Një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit do të mbahet ditën e sotme në New York, ku do të jetë pikërisht Shqipëria, e përfaqësuar nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ajo e cila do të drejtojë mbledhjen me tematikë “Të sigurojmë llogaridhënien për krimet e tmerrshme të kryera në Ukrainë”.

Në terma të tjerë, kjo mund të cilësohet edhe si një nga mbledhjet më të rëndësishme të këtij viti në Këshillin e Sigurimit dhe fakti që Shqipëria e drejton atë, e bën akoma më të veçantë për Tiranën zyrtare.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Relacione shumë me rëndësi do të paraqiten përpara 15 vendeve anëtare (të përhershme dhe jo) në Këshill, duke filluar nga Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale i ngarkuar me hetimin në Ukrainë, Karim Asad Ahmad Khan, kryeprokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, dhe një ndërhyrje pritet po ashtu nga kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, dhe përfaqësuesi i përhershëm i Francës në OKB, Nicolas Riviere.

Raportime priten edhe nga eksponentë të lartë të organizatave joqeveritare dhe humanitare, si Amal Clooney, bashkëpresidentja e Fondacionit Clooney për Drejtësinë dhe drejtuesja e organizatës Human Rights Watch për krizat dhe konfliktet, Ida Sawyer.

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, do të jetë ajo e cila do ta hapë dhe drejtojë takimin. Teksa, mbështetje shumë e madhe është dhënë edhe nga shtetet më të fuqishme në botë si SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Evropian.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka
Por, çfarë është formula Arria dhe mbi të gjitha, çfarë domethënie ka ajo në këtë çast?

Takimet nën formulën Arria janë mbledhje jo formale të Këshillit të Sigurimit, por janë shumë të rëndësishme në atë çfarë synojnë.

Në rastin konkret, hetimi i krimeve të dhunës dhe abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Ukrainë janë thelbi i gjithë takimit.

Llogaridhënia dhe rëndësia e dokumentimit të krimeve të kryera në Ukrainë pas agresionit rus, si dhe mobilizimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar mekanizmat ligjorë ndërkombëtare, si Gjykata Ndërkombëtare Penale, janë në vëmendje të veçantë të takimit.

Në terma të gjerë, mbledhja vjen fill një muaj pas themelimit në OKB në New York dhe Gjenevë, të Grupit të Miqve për Llogaridhënie pas agresionit rus, ku Shqipëria është bashkëkryetarë – por iniciatorë – me Francën.

Koncepti propozon një sërë pyetjesh për të ndihmuar diskutimin mbi çështjen.

Këto pyetje parashtrojnë çështje, si për shembull, hapat shtesë dhe veprimet që mund të ndërmerren për të forcuar dhe institucionalizuar llogaridhënien për krime lufte në Ukrainë.

Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha

Një çështje tjetër që parashtrohet, është se si media, shoqëria civile dhe raportimet investigative mund të ndihmojnë në zbulimin e të vërtetave në Ukrainë.

Praktikat që mund të përdoren për të dokumentuar krimet e luftës janë në diskutim, si dhe mënyra se si mundet komuniteti ndërkombëtar të sigurojë implementimin e një sistemi dëmshpërblimi për viktimat, në mënyrë që të shlyhet dëmi që u është shkaktuar atyre.

Ajo çfarë pritet edhe më gjerë në vazhdën e retorikës diplomatike në Këshillin e Sigurimit, është dënimi i palëkundur i agresionit rus në Ukrainë dhe akuzimi i Moskës për kryerjen e krimeve të luftës në qytete të ndryshme.

Takimi do të fillojë në orën 15:00 me atë lokale të New York-ut dhe do të transmetohet në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara.

Qëndrimin e Shqipërisë pritet ta prezantojë ambasadori i përhershëm shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore