Shqipëria

Këshilli i Sigurimit: Misioni shqiptar do të ulet krah SHBA-ve


Delegacioni shqiptar do të pozicionohet në krah të Shteteve të Bashkuara në “patkoin” e shteteve të Këshillit të Sigurimit.

Lajmin e bëri të ditur më herët zëvendës përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB, Albana Dautllari.

Kjo është risia më e fundit nga zhvillimet diplomatike brenda Kombeve të Bashkuara.

Nga janari i këtij viti në tavolinën e KS-së do të jenë edhe Brazili, Gaboni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Gana.

Këto shtete pasojnë misionet diplomatike që dorëzuan mandatin si Estonia, Nigeri, SVG-ja, Tunizia dhe Vietnami.

Më 11 qershor të vitit 2021, Shqipëria merrte lajmin historik të pjesëmarrjes si anëtare e përkohshme në KS.

SHBA-Shqipëri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, uronte të shtunën e 1 janarit Shqipërinë për anëtarësinë në Këshill.

Në postimin e tyre në median sociale Twitter, ambasada e cilësonte këtë moment “një arritje të jashtëzakonshme”.

“Shtetet e Bashkuara presin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, nënvizonte njoftimi i diplomacisë amerikane.

Përmes një statusi në Twitter, misioni shqiptar në Kombet e Bashkuara, do e falënderonte menjëherë diplomacinë amerikane në Tiranë.

“Faleminderit Ambasada Amerikane në Tiranë, për urimet tuaja të ngrohta”, shkruante fillimisht përfaqësia shqiptare.

Në vijim, ajo deklaronte se mezi priste të bashkëpunonte ngushtësisht me misionin amerikan në KS.

Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në KS, Ferit Hoxha
Këshilli i Sigurimit

Delegacioni shqiptar në New York, mori më 1 janar zyrtarisht detyrën në tryezën me 15 aktorë botërorë.

Shqipëria do të ketë mundësi jo vetëm të përqasë frymën e saj diplomatike, por të të gjithë rajonit që përfaqëson.

Pranimi thuajse unanim i vendit në këtë strukturë, është edhe një ndër arritjet më të mëdha për diplomacinë shqiptare, jo vetëm gjatë vitit 2021, por në gjithë historinë moderne të shtetit.

Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të OKB-së, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore