Shqipëria

Shqipëria merr zyrtarisht detyrën në Këshillin e Sigurisë, ambasadori Hoxha jep mesazhet e para për bashkim


Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB

Shqipëria ka marrë tashmë zyrtarisht, në një ceremoni nën rregullat e COVID-19, mandatin e saj dy-vjeçar në Këshillin e Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku i bashkëngjitet tryezës së pesë vendeve anëtare të përhershme dhe nëntë të tjerëve jo të përhershëm.

Në fjalën e tij të parë si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB, ambasadori Ferit Hoxha, ka theksuar gjithë devotshmërinë e vendit të vogël ballkanik, ndaj rolit të madh të caktuar e besuar nga thuajse gjithë bota.

“Shumë falënderime për gjithë botën, që e mirëpriti Shqipërinë dhe kandidaturën e saj”, e nisi fjalën e tij Hoxha. “Jemi për herë të parë këtu dhe për mua është një privilegj të përfaqësoj vendin tim”.

Ambasadori vijoi më tej, duke thënë se Shqipëria, duke u ulur në tryezën e Këshillit, do të provojë të sjellë ndryshime në botë. Ndërsa, gjëra të cilat më parë merreshin si të mirëqena, tashmë nuk janë më të tilla, për sa i përket sigurisë kombëtare.

“Kemi përgjegjësi të madhe duke qenë në këtë tryezë. Do të mbartim vlerat dhe parimet tona në këtë këshill. Do të promovojmë liritë themelore të njeriut, luftojmë gjuhën e urrejtjes, terrorizmit”.

Këto janë piketat kryesore sipas Hoxhës.

Ndërkaq, një vlerë e shtuar sipas tij, është edhe transparenca dhe interaktiviteti që Këshilli duhet të ketë.

Teksa, dy problemet kryesore, mbi të cilat duhet diskutuar më së shumti, përshkruhen si ato të klimës dhe sigurisë.

Në shqip, në përmbyllje, Hoxha përcolli edhe një mesazh bashkimi.

“Do të ndërtojmë aleanca. Ne e dimë se vetëm të bashkuar mund të sjellim ndryshime në botë. Do të jemi me të gjithë, sidomos me më të varfrit. Së bashku mund të bëjmë gjëra të bukura dhe të mëdha. Ashtu si thoshte dhe nënë Tereza”, përmbylli ai.

Në përfundim, ambasadori Hoxha ka vendosur edhe flamurin e Shqipërisë, pranë atij amerikan. Një postacion, të cilin Shqipëria do ta mbajë gjatë gjithë mandatit dy vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore