Shqipëria

Ruçi, mirënjohës që Holanda mbështeti Konferencën e Parë Ndërqeveritare


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me ambasadoren e Holandës në Shqipëri, Guusje Korthals Altes, në vitin 2018

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka shprehur “mirënjohjen e Kuvendit për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez, për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, si dhe për rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri”.

Në takimin e së hënës së 5 korrikut, në kuadër të përfundimit të misionit të ambasadores së Holandës në Shqipëri, Guusje Korthals Altes, ai vlerësoi kontributin e ambasadores, në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe të dy shteteve.

Në mënyrë të veçantë, Ruçi vlerësoi kontributin për informimin e Parlamentit dhe Qeverisë dhe kontributet pёr arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.

Më tej, kryetari i Kuvendit tha se, marrëdhëniet dypalëshe me Holandёn janë pasqyruar edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

“Për të tretin vit radhazi, Holanda është investitori më i madh në Shqipëri dhe ne kemi besim se ky bashkëpunim do të vijë duke u zgjeruar e forcuar”, theksoi Ruçi.

Nga ana tjetёr, ambasadorja Guusje Korthals Altes, falënderoi Gramoz Ruçin për vlerësimin e punës së saj, si dhe të bashkëpunimit midis dy shteteve.

Po ashtu, ambasadorja potencoi se Vendet e Ulëta do vazhdojnë ta mbështesin integrimin evropian të Shqipërisë, konsolidimin e vlerave evropiane, mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore