Lajme

Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, rikthehet në qarkullim vetëm për autobusët


Rruga "Xhorxh Bush" në Prishtinë

Të premten e 13 janarit, trafiku urban është rikthyer për qarkullim në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Njoftohen qytetarët se nga data 13.01.2023 do të rikthehet qarkullimi i autobusëve në linjat: 1,3 dhe 4 sipas rendit të udhëtimit të mëparshëm në drejtim të rrugës “Xhorxh Bush”.

“Autobusët përgjatë sheshit “Xhorxh Bush” do të lëvizin me shpejtësi të kufizuar në 20 km/h”, është thënë në komunikatë.

Lajmi është kumtuar edhe nga ana e Komunës së Prishtinës, të cilët kanë treguar për automjetet të cilat do të kenë qasje në këtë pjesë.

“Ju njoftojmë se pas përfundimit të intervenimeve në infrastrukturën rrugore dhe pas vendosjes së shenjëzimeve, nga sot, me datë 13 janar 2023, sheshi “Xhorxh Bush”  është hapur për linjat e Trafiku Urban Prishtinë, taxit dhe veturat emergjente (policia, zjarrfikësit, auto-ambulancat), të cilët do të kenë qasje në këtë shesh me shpejtësi të kufizuar të qarkullimit prej 20km/h”, thuhet në komunikatë të Komunës.

Kjo rrugë në Prishtinë kishte qëndruar e bllokuar për afro një muaj për shkak të festave të fundvitit ndërsa aktulisht është hapur vetëm për autobusët, taksitë dhe rastet emergjente.

Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Kështu kishte bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në njërën nga intervistat televizive.

“Te katedralja deri më 8 janar do të jetë shesh, pra pa qasje të asnjë makine. Nga 8 janari hapet për trafikun urban, pra autobusët dhe taksitë, normal që rastet emergjente si ambulancat, policia, zjarrfikësit dhe të tjerët kanë qasje në çfarëdo kohe”, deklaroi Rama.

Kryetari kishte thënë se këto ndryshime ishin paralajmëruar edhe në programin elektoral të tij.

“E kam thënë edhe gjatë kampanjës që synimi ynë është që këmbësori të jetë i pari, trafiku urban, ai alternativ si biçikleta dhe trotinete i dyti dhe makinat të tretat”.

Nga Komuna e Prishtinës, ishte thënë se janë në mbledhje të të dhënave për të marr pastaj edhe vendimin final për unazën e madhe njëkahëshe të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore