Sport

Rrahmani dhe Muriq janë në dyshim për ndeshjen ndaj Qipros, Giresse flet në konferencën për media


Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve ndaj Qipros.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani dhe portieri, Arijanet Muriq, janë në dyshim për të luajtur në këtë ndeshje të rëndësishme.

Këtë e konfirmoi në konferencën për media vetë trajneri i dardanëve, Alain Giresse në konferencën për media.

“Nesër kemi ndeshjen e radhës. Qëllimi është fitorja. Portieri ka lënduar kaviljen në Belfast, nuk e dimë gjendjen e Muriq. Rrahmani ka progres, ka përmirësim, por do e vlerësojmë nesër nëse do të ketë mundësi të luajë. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme përveç lodhjes pas ndeshjes”, tha trajneri francez.

“Kemi dy pasiguri: njëri është Amir Rrahmani. Sa i përket formacionit, ju e dini që nuk e japim formacionin përpara ndeshjes. Nëse trajneri i Qipros na e sjell formacionin e tij, atëherë edhe unë mund t’ia jap atij”.

“Kemi parë ndeshjen Milan – Napoli dhe pamë mënyrën se si u lëndua Amiri. Gjendja ishte aq e keqe pas ndeshjes me Milan-in, për Irlandën e Veriut nuk ishte i gatshëm, të shohim për nesër nëse do të luajë”, shtoi Giresse.

Ai më pas u pyet edhe për mos-inkuadrimin e lojtarëve të Ballkanit, derisa u përgjigj se ka edhe lojtarë të tjerë që nuk kanë pasur minutazhë.

“Ka edhe shumë lojtarë të tjerë që nuk luajnë, jo vetëm ata të Ballkanit. Kam një listë prej 23 lojtarësh, por vetëm 11 luajnë. Ne përgatitemi për të fituar, jo për të humbur”.

“Emërllahu ka treguar cilësi të mira te Kosova U21, por është një hap i madh për të kalimi tek ekipi i parë. Nuk është njësoj të luash në Ligën e Konferencës dhe te Kosova”.

“Trajneri duhet të bëjë zgjedhjet e tij. Ka pasur raste kur lojtarët kanë treguar cilësi te Kosova, edhe pse nuk kanë shfaqur me të mirën te Kosova U21”, tha trajneri Giresse kur u pyet për lojtarët e Ballkanit.

Ndeshja mes Kosovës dhe Qipros do zhvillohet këtë të marte me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kosova duhet të mos pësojë humbje në këtë ndeshje, në mënyrë që të qëndrojë në Ligën C.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore