Shqipëria

Rikthehet çështja Pasho, flet për herë të parë Taulanti


Për herë të parë që prej gjetjes së tre valixheve me brenda trupat e copëtuar të një çifti shqiptar në Firence, ka folur mbi çështjen djali i familjes, Taulant Pasho.

Më 11 dhjetor 2020, prindërit e tij, Shpëtim dhe Teuta Pasho, u gjetën të copëtuar në mënyrë makabre, pranë burgut të Solliciano-s, buzë rrugës kombëtare Firenze-Pisa-Livorno.

Në dëshminë e tij pas ekstradimit nga një burg zviceran drejt Italisë, Taulanti ka bërë të qartë se nuk dinte asnjë nga çështjet në fjalë, përtej shumës së parave, të cilën prindërit e tij e zotëronin.

Çifti Pasho kishte pasur në posedim 40 mijë euro përpara se të vritej.

Madje, ai deklaroi se nuk kishte as dijeni mbi abortin e ish të fejuarës së tij, Elonës. Kjo e fundit, është e dyshuara kryesore dhe ndodhet nën arrest për vrasjen e çiftit Pasho.

Mbi zhdukjen e prindërve, Taulanti thekson se nuk e ka telefonuar policinë, pasi ndihej i frikësuar se mund të arrestohej nga policia. Kjo e fundit, e kishte shpallur në kërkim atë, për bastisje të banesës dhe vjedhje.

Ndërsa, për paratë e zhdukura, ai e drejton gishtin vetëm ndaj një emri: Atë të Elona Kaleshës.

Si ka rrjedhur ngjarja?

Tre valixhe janë gjetur pranë burgut të Solliciano-s, në Firenze, nga policia italiane. Brenda tyre, të copëtuar në mënyrë makabre, një çift shqiptarësh, Shpëtim dhe Teuta Pasho!

Valixhja që përmbante trupin e burrit, u zbulua në 11 dhjetor në një fushë pranë burgut. Tre ditë më vonë, një valixhe tjetër u gjet, me trupin e gruas, ku sipas autopsisë rezultoi të ishte dhunuar brutalisht.

Çifti shqiptar nuk ishte i panjohur për mediat në Itali, pasi në 2016-ën, vajza e tyre, Dorina, doli në emisionin “Chi l’ha visto?” për t’i kërkuar pas zhdukjes së tyre në dy nëntori të vitit 2015.

Kjo datë, përkon edhe me lirimin e djalit të tyre nga burgu, Taulantit. Ai, ishte dënuar për kapjen me gjashtë kile e gjysmë marijuanë. Prej 2016-ës, ai është në arrati nga policia.

Arrestimi i Elona Kaleshës

Policia italiane ka vënë nën pranga Elona Kaleshën, ish të fejuarën e Taulant Pashos, për akuzën e vrasjes, masakrimit dhe fshehjes së trupave të Shpëtim dhe Teuta Pashos.

Ngjarja e bujshme e ndodhur në Firenze mori një tjetër rrjedhë. Pas gjetjes së katër valixheve me brenda trupat e copëtuar të çiftit vlonjat, kishim të akuzuarën e parë nga ana e prokurorisë italiane.

Elona Kalesha, 36 vjeç, në atë kohë jetonte së bashku me Taulantin në një apartament në Firenze. Nga dëshmitë e marra nga motrat Dorina dhe Viktoria Pasho, është pikërisht Elona personi i fundit që ka takuar prindërit e tyre përpara zhdukjes.

Këto akuza janë mohuar nga Kalesha kur ajo është marrë në pyetje.

Njëkohësisht janë vënë nën sekuestro dhe dy pasuri të paluajtshme të saj. Një apartament në periferi të Firenze-s dhe një garazh në rrugën Pantano. Garazhi është aneksim i apartamentit në të cilin Elona dhe Taulanti jetonin kur ishin të lidhur.

Ky garazh është bërë edhe më parë pjesë e çështjes. Në vitin 2016 ka pasur raportime të shumta mbi aromat e këqija që vinin nga aty. Gjithsesi, aroma në atë kohë iu bashkëngjit higjenës së dobët të qenëve që çifti mbante në shtëpi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore