Bota

Vrasja e çiftit shqiptar: Policia në kërkim të një furgoni, dalin dëshmi të reja


Policia italiane ka hedhur dyshime se valixhet me brenda trupat e Shpëtim dhe Teuta Pashos, janë transportuar me anë të një furgoni të veçantë, me pjesën e pasme të hapur, për të bërë të mundur tejkalimin e barrierave rrugore të larta.

Tashmë mbi një javë pas zbulimit të valixheve me brenda trupat e copëtuar të çifit shqiptar, policia italiane ka filluar të hamendësojë për mënyrat e ndryshme si mund të jenë transportuar ato drejt vendit ku më pas u hodhën.

Barriera kundër zhurmës që gjendet në rrugën Fi-Pi-Li është dy metra e gjysmë e lartë dhe për të hedhur valixhet mbi të, duhet një mjet shumë i ngritur nga toka. Me shumë gjasë një furgon i lartë me pjesën e prapme të hapur ka shërbyer si mjet transporti.

Ky lloj mjeti nuk është shumë i zakonshëm, ndaj kërkimet kanë filluar, së pari për mjetet që ka përdorur rrethi familjar gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

Dyshimi i policisë është se në çastin kur është afruar pranë burgut të Sollicciano-s, mjeti ka ngadalësuar në shpjetësinë e hapit njerëzor dhe në atë çast së paku një person ka filluar të hedhë valixhet përtej bordurës, në arën e një fshatari të zonës.

Ndërkohë disa dëshmi të reja kanë dalë lidhur me çështjen. Sipas tyre, çifti Pasho ka qenë fillimisht në Castelfiorentino, të ftuar në shtëpinë e një nipi të tyre, mbrëmjen e të shtunës së 31 tetorit 2015. Ikja e tyre nga aty është e mjegullt sipas dëshmive, por mendohet se janë nisur me tren midis të dielës dhe të hënës.

Të hënën e dy nëntorit, djali i tyre, Taulanti, dilte nga qelia e burgut për të shkuar në arrest shtëpie. Duhet të ishin tre personat që e prisnin atë në dalje, por e pranishme ka qenë vetëm ish e fejuara e tij, Elona.

“Isha vetëm unë që e prita Taulantin atë ditë. Një ditë më parë, kush shkova për t’i çuar ushqim në shtëpinë e tyre në rrugën Baracca, ata nuk gjendeshin aty”, deklaron Elona.

A ishte vrarë çifti Pasho që të dielën, një ditë përpara daljes së djalit të tyre nga burgu?

Për diçka, policia nuk ka asnjë dyshim. Vrasja e tyre ka ndodhur në një shtëpi, ku madje çifti ka qenë i rehatuar, pasi Teuta ishte e veshur me pizhame. Por se kur ka ndodhur vrasja dhe mbi të gjitha ku, kjo ende nuk dihet.

Nëse trupat kanë mbetur të fshehur diku për një kohë të gjatë, është e rëndësishme të kuptohet se ku kanë qenë të fshehur për kaq shumë kohë.

Për t’u deshifruar është dhe vendi i hedhjes së tyre, pranë burgut të Sollicciano-s. Përse pikërisht aty, ku Taulanti po vuante dënimin për trafikim lëndësh narkotike?

Përse prindërit e Taulantit, pronarit të shumës prej 40 mijë Euro-sh, me të cilat çifti Pasho udhëtoi nga Shqipëria drejt Firenze-s?/AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore