Shqipëria

Karabina: PD është e vendosur në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK-ut, nëpërmjet amendamenteve të saj


Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka theksuar se janë të “vendosur në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK-ut, nëpërmjet amendamenteve”.

“Ne nuk mund të presim të vijnë të tjerët dhe të na mbushin mendjen se Edi Rama është i korruptuar, bashkëpunëtorët e tij janë të lidhur me botën e nëndheshme të krimit dhe qeveria e tij është një ndër më të korruptuarat në Evropë. Ne i dimë të gjitha këto. Ne e dimë që SPAK-u është krijuar pikërisht për shkakun e korrupsionit të madh në vend, sepse në një vend pa korrupsion nuk do të ishte i nevojshëm”, tha ajo.

Sipas Karabinës, “kjo klasë politike 34-vjeçare jo vetëm që është thellësisht e korruptuar dhe punon në të kundërtën e interesit të njerëzve, por shihini se si kacavirren me thonj poshtë ballkonit të njëri-tjetrit apo i hedhin kamerdare shpëtimi të ngjashmëve të tyre sa herë që ndiejnë rrezikun nga drejtësia që i troket te porta”.

“Ndaj Partia Demokratike është e vendosur në mbështetjen e saj të pakushtëzuar ndaj SPAK-ut, nëpërmjet amendamenteve të saj për t’u votuar si një sinjal i parë që politika e ka seriozisht mbështetjen ndaj drejtësisë dhe si një amanet që në këtë betejë mes të korruptuarve dhe njerëzve të vjedhur përditë nga korrupsioni i tyre, PD qëndron në anën e njerëzve”.

Më 24 prill, kreu i PD-së Lulzim Basha, ka bërë me dije se forca e djathtë politike është gati të dorëzojë në Kuvend disa amendamente, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Por, para së gjithash, gjatë një konference për shtyp, ai ka folur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, ku evidentohen disa problematika serioze sa i takon gjyqësorit dhe korrupsionit në vend.

“Raporti i DASH i cili konfirmon atë që shqiptarët e dinë dhe prekin çdo ditë, që korrupsioni është problemi më i madh kësaj qeverie dhe vendit. Kjo lidhet me krizën ekonomike dhe koston e jetesës”, theksoi fillimisht Basha.

Më tej, ai shtoi se korrupsioni ushqehet çdo ditë nga qeveria e Edi Ramës përmes skemave që sa vijnë e sofistikohen.

Ndaj, në këto kushte, sipas Bashës, prioriteti i vërtetë kombëtar është lufta kundër korrupsionit.

“SPAK lindi si nevojë për të luftuar nivelin gjigand të korrupsionit.
Ndaj përsëris thirrjen për çdo faktor politik, të forcojmë një fron të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi”, theksoi.

Ai po ashtu vlerësoi punën e zhvilluar nga Organizatat Jo-Qeveritare dhe i bëri thirrje atyre dhe donatorëve të huaj, që të mos i rreshtin përpjekjet.

Në mbyllje, e ravijëzoi se PD-ja ka gati amendamentet për të mbështetur punën e SPAK-ut dhe do t’i dorëzojë ato së shpejti në Kuvend.

PD gati të çojë në Kuvend amendamentet për mbështetjen e SPAK, Basha thotë se korrupsioni është problemi më i madh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore