Shqipëria

PD gati të çojë në Kuvend amendamentet për mbështetjen e SPAK, Basha thotë se korrupsioni është problemi më i madh


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë me dije se forca e djathtë politike është gati të dorëzojë në Kuvend disa amendamente, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Por, para së gjithash, gjatë një konference për shtyp, ai ka folur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, ku evidentohen disa problematika serioze sa i takon gjyqësorit dhe korrupsionit në vend.

“Raporti i DASH i cili konfirmon atë që shqiptarët e dinë dhe prekin çdo ditë, që korrupsioni është problemi më i madh kësaj qeverie dhe vendit. Kjo lidhet me krizën ekonomike dhe koston e jetesës”, theksoi fillimisht Basha.

Më tej, ai shtoi se korrupsioni ushqehet çdo ditë nga qeveria e Edi Ramës përmes skemave që sa vijnë e sofistikohen.

Ndaj, në këto kushte, sipas Bashës, prioriteti i vërtetë kombëtar është lufta kundër korrupsionit.

“SPAK lindi si nevojë për të luftuar nivelin gjigand të korrupsionit.
Ndaj përsëris thirrjen për çdo faktor politik, të forcojmë një fron të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi”, theksoi.

Ai po ashtu vlerësoi punën e zhvilluar nga Organizatat Jo-Qeveritare dhe i bëri thirrje atyre dhe donatorëve të huaj, që të mos i rreshtin përpjekjet.

Në mbyllje, e ravijëzoi se PD-ja ka gati amendamentet për të mbështetur punën e SPAK-ut dhe do t’i dorëzojë ato së shpejti në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore