Lajme

Gërvalla: Ideja e shkëmbimit të territoreve çon në luftë


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, duke folur për platformën ukrainase të lajmeve “European Pravda” rreth rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, konsideroi se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve mund të çojë në një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor.

“Ky plan nuk zgjidh probleme, por krijon probleme të reja për të gjithë rajonin. Precedenti i ndryshimit të kufirit në Ballkan mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund të nisë një luftë të re”, vlerësoi kryediplomatja kosovare, duke shtuar alternativë ndaj kësaj ideje është “puna tepër komplekse e integrimit” të komunitetit serb në veri të Kosovës.

“Ne nuk kemi probleme me qytetarët tanë me origjinë serbe. Ne jemi një vend demokratik dhe jemi të gatshëm t’i respektojmë të drejtat e tyre. Në vend të kësaj, kemi probleme me qeverinë serbe dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin situata rreth serbëve të Kosovës është një mjet për të ruajtur pushtetin e tij”, shtoi mes tjerash shefja e diplomacisë.

Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve ngrihet herë pas here në debatet publike. E idenë e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike e kanë dhënë edhe shumë liderë e diplomatë perëndimorë.

Bislimi: Duhet të jemi gati për luftë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore