Boterori 2022

Regragui: Duam të shkojmë në finale dhe të fitojmë Kupën e Botës


Maroku është surpriza më e madhe në këtë Kampionat Botëror, teksa ka arritur në gjysmëfinale, ku do të përballen me kampionin aktual të Botës, Francën.

Para kësaj ndeshje, ka folur në konferencën për media trajneri i tyre, Walid Regragui, i cili la të kuptohet se nuk i frikësohet aspak përballjes me “Gjelat”.

Ai tha se përveç kualitetit që ka ekipi i tij, ata kanë edhe moral shumë të lartë për të hyrë në këtë takim, që do ta kenë mbështetjen e shumë tifozëve të tyre në stadium.

“Në fushë do të zbresë skuadra më e mirë dhe çelësi është të kemi mentalitetin e duhur, mendja dhe zemra janë shumë më të rëndësishme se pjesa tjetër. Në stadium pritet të jenë rreth 20.000 marokenë, ndaj për ne do të jetë si të luajmë në shtëpi”, tha Regragui.

Ai tha se skuadra e tij nuk ka arritur këtu me fat, derisa shtoi se do t’ju ndryshojnë mendimin atyre që mendojnë kështu.

“Dua t’ju ndryshoj mendjen atyre që mendojnë se ne tashmë e kemi arritur suksesin dhe duhet të mjaftohemi me kaq”, shtoi trajneri maroken.

Mes tjerash, trajneri i Marokut tha se rrugëtimi i tyre nuk do të ndalet këtu, derisa komentoi edhe ndeshjen me Francën.

“Nga skuadrat gjysmëfinaliste, ne kemi pasur rrugëtimin më të vështirë. Duam të shkojmë në finale dhe të fitojmë Kupën e Botës, këto nuk janë fjalë boshe sepse ndoshta një mundësi e tillë nuk do të na jepet sërish”.

“Jemi të uritur sepse bëhet fjalë për gjysmëfinalet e Botërorit, skuadra më e mirë, Brazili, tashmë është jashtë dhe ne jemi ambiciozë”.

“Duam të vendosim Afrikën në majën e Botës, kemi besim dhe ndoshta jemi paksa të çmendur. Nuk jemi të lodhur, nuk mund të jemi të lodhur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës”.

Në fund, Regragui komentoi edhe duelin Mbappe – Hakimi (luajnë bashkë në PSG), ku tha që Franca ka edhe futbollistë të tjerë cilësor përveç 23-vjeçarit.

“Nëse është dikush që e njeh mirë Hakimin, ai është Mbappe. Ai stërvitet çdo ditë me të dhe për fatin tonë të keq, Franca nuk ka vetëm Mbappe”, theksoi Regragui.

“Kur sheh kualitetin e Griezmann apo Dembele kupton çfarë ekipi është Franca. Por, nuk do të ketë asnjë mbulim special për Mbappe. Do të jetë një duel i bukur Hakimi – Mbappe dhe nuk do t’i bëjnë surpriza njëri-tjetrit. Hakimi do të jetë super i motivuar për ta mundur shokun e skuadrës te PSG”, u shpreh Regragui.

Kujtojmë që ndeshja gjysmëfinale mes Francës dhe Marokut do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 20:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore