Shqipëria

Reagon Meta dhe Veliaj në lidhje me përgjimet e “Ndragheta”-s


Presidenti Ilir Meta dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, kanë reaguar për herë të parë në lidhje me përmendjen e emrit të tyre në përgjimet e “Ndragheta”-s.

Javën e kaluar policia kalabreze zhvilloi operacionin kundër grupit të mafias “Ndragheta”. Mes të arrestuarve ishin dhe shtatë shqiptarë.

Media italiane “Il gazettino” ka publikuar përgjimet e policisë për këtë rast. Në përgjime përmenden presidenti Meta, një ministër i qeverisë dhe kryebashkiaku i Tiranës.

E gjithë biseda drejtohet rreth takimeve të mundshme që mund të bëhen për ndikim në vendimarrje dhe marrjen e një lejeve të ndërtimit.

Presidenti Ilir Meta tha se gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë në këtë dosje hetimore duhet të ndiqet edhe nga institucionet vendase sidomos nga SPAK-u.

Ndërkohë emri i kryebashkiakut nuk lakohet për herë të parë në bisedat e mafias.

Vitin e kaluar ish-kryebashkiaku i Veronas, Flavio Tosi, u vu nën hetim për mashtrime dhe firmosjen e kontratave të rreme.

Ai ishte aksioneri i “Eco Tirana”, ku 51 % e saj zotërohet nga bashkia e kryeqytetit.
Bashkëpunimi për krijimin e “Eco Tirana” u finalizua në vitin 2016, me firmosjen e kontratës ndërmjet Erion Veliaj dhe Flavio Tosit.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira. Do dalin që kemi qenë shokë në çerdhe me Eskobarin. Do dalin lloj-lloj çudirash. Përça dhe sundo ka qenë strategjia e Saliut. I funksionoi në vitet ‘90”, tha Veliaj për mediat./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore