Lajme

Ramosaj: “Deri sa të jem kryetar, nuk zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin”


“Është padrejtësi” është shprehur Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, duke arsyetuar vonimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që Manastirit të Deçanit të i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë.

“Është një padrejtësi që ju ka bërë këtij qyteti, është vendim politik, jo juridik. Dhe si i tillë nuk do të zbatohet në komunën e Deçanit deri sa të jem unë kryetar i komune”, ka vazhduar më tej Ramosaj i pyetur nga redaksia e Albanian Post se si i komenton deklaratat e ambasadave të huaja në vend, për mos zbatimin e vendimit të Kushtetueses për këtë rast.

“Për mua kjo temë është e përfunduar, un si kryetar i komunës së Deçanit nuk jam i obliguar ta zbatoj”, ka shtuar më tej Ramosaj duke thënë se qëndrimi i tij rreth këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, dihet prej kohësh dhe nuk ka ndryshuar.

“Komuna e Deçanit duhet të vazhdoj kështu si është tani”, ka përfunduar Ramosaj kur u pyet se çfarë duhet të bëj Komuna e Deçanit tani e tutje, kur ka një vendim të prerë të Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë më parë, Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohd, përmes një postimi në Twitter, ka thënë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetues për Manastirin e Deçanit që është vonuar shumë.

Rohde përmes Twitter ka shkruar se përkrahë plotësisht deklaratën e Shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport lidhur me vendimin e Kushtetueses.

“Mbështetje e plotë për deklaratën e Davenport – Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vonuar shumë”, ka shkruar Rohde.

Shef i Misionit të OSBE-së, Michael Davenport, në Kosovë të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të zbatohet, dhe se e kupton se situata rreth Manastirit është e ndërlikuar e se interesat e Komunës po ashtu duhet të merren parasysh.

“OSBE-ja ka mandat që shtrihet përgjatë sferës publike, të sigurisë dhe demokratizimit, por gjithashtu shumë thelbësor edhe sundimi i ligjit. Dhe nëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi sipas pikëpamjes sonë që ai rregull duhet të zbatohet. Natyrisht, unë e njoh, ne e njohim situatën rreth Manastirit dhe Komunës që është e ndërlikuar”, ka thënë Davenport.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore