Kosova

Rama ua ndalon dhënien e lejeve ndërtimore atyre që i kanë borxhe komunës


Nërtimet në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës, ua ka ndaluar dhënien e lejeve ndërtimore të gjithë atyre personave që kanë borxhe ndaj komunës.

Vendimi është nënshkruar të martën nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka nënshkruar vendimin për ndalimin e dhënies së lejeve ndërtimore dhe lejeve të përdorimit për personat juridik dhe fizik të cilët nuk i kanë përmbushur  obligimet ndaj komunës”, thuhet në komunikatë.

Në vendimin e publikuar është sqaruar se ky vendim vlen për personat të cilët kanë obligime ndaj Komunës dhe nuk janë në procedurë për kontestimin e borxhit.

“Të gjithë personat fizik dhe personat juridik që kanë obligime financiare ndaj Komunës së Prishtinës, u ndalohet dhënia e lejeve ndërtimore, duke përfshirë këtu procesin e pranimit teknik dhe procesin e legalizimit”.

Vendimi i Komunës.
Vendimi i Komunës.

“Ky paragraf vlen për të gjithë personat fizik dhe personat juridik të cilët kanë obligime ndaj Komunës së Prishtinës dhe të cilët nuk janë në procedurë gjyqësore për kontestimin e borxhit”, thuhet në pikën 1.1.

Kurse, për zbatimin e këtij vendimi obligohet Drejtoria e Urbanizimit, Drejtoria e Financave, Drejtoria e Inspektoratit dhe Zyra Ligjore.

Më 26 qershor të 2022, drejtori Donat Lushaku kishte bërë të ditur se afati për legalizim të ndërtimeve pa leje në komunën e Prishtinës, parashihet të shtyhet deri më 31 dhjetor të 2025.

Ai kishte sqaruar se shtyrja mund të vij pas kalimit të projektligjit të ri për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trajtim të ndërtimeve pa leje.

“Afati i legalizimit të ndërtimeve pa leje përfundon më 4 shtator 2022, por me projektligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, gjegjësisht në nenin 13 paragrafin 1. të tij parashihet që afati të zgjatet deri më 31 dhjetor 2025”, kishte thënë ai.

Ndërsa, kishte potencuar se pas mbylljes së konsultimeve paraprake dhe publike, projektligji procedohet për miratim në Qeveri dhe Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore