Shqipëria

Rama: Jemi mësuar të mos presim gjë nga Evropa


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pozon për median spanjolle Market Research Telecast

“E kemi mësuar në rrugë të vështira se nga Bashkimi Evropian nuk mund të presim gjë, sepse e kemi parë që nuk është në një çast të mirë”.

Gjatë vizitës së tij në Spanjë – të parën të një kryeministri shqiptar në mbretërinë e jug-perëndimit evropian – kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sërish mbi perspektivën e integrimit të rajonit dhe veçanërisht Shqipërisë në BE.

I vënë përballë pyetjeve të medias spanjolle Market Research Telecast, Rama ka ravijëzuar se për të, unioni ka shumë probleme të brendshme. Kjo deklaratë, vjen pak para samitit BE-Ballkan, i cili do të zhvillohet në Brdo të Sllovenisë të mërkurën e 6 tetorit.

Kjo intervistë e tij, përkon pikërisht mes vizitës së Presidentes së Komisionet Evropian, Ursula von der Leyen, e cila erdhi në Shqipëri më 28 shtator, dhe samitit të 6 tetorit.

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për shtyp, 28 shtator 2021

Von der Leyen bëri një deklaratë të fortë, kur tha se pret që negociatat me Shqipërinë, të hapen këtë vit.

Por, të njëjtën gjë, nuk e mendon kryeministri Rama.

“E kemi dëgjuar këtë gjë shumë herë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Von der Leyen flet në emër të Komisionit. Por një gjë është Komisioni dhe tjetër gjë është Këshilli i Evropës. Një gjë janë fjalët e bukura, tjetër gjë janë faktet”.

Rama vë sërish në dukje se në këtë proces, gjithnjë ka pasur nga një oponencë rrugës. Qoftë kjo nga një shtet, dy apo tre. Për këtë shkak, ai thotë se më mirë është të mos kesh pritshmëri. “Në këtë mënyrë, nuk duhet të ndihesh i turpëruar se të refuzojnë”.

Pavarësisht këtij fakti, aderimin në BE ai e cilëson sërish si “nevojë” e cila nuk ka asnjë alternativë tjetër.

“Evropa është zgjedhja dhe feja jonë. Është i vetmi proces, të cilin e cilësoj jetësor”.

Shumë ndryshe

Përtej aderimit në BE, kryeministri ka gjetur kohën të flasë edhe për ndryshimet që kanë ardhur në Shqipëri.

“Situata është shumë e ndryshme. Disa raporte duhen marrë me shumë rezerva. Flas për mënyrën si bëhen. Nuk janë specifike dhe nuk pasqyrojnë situatën reale. Sigurisht që Shqipëria ka probleme me korrupsionin, por nuk mund të krahasohet me tetë vite më parë”.

Kjo sipas Ramës, ka të bëjë edhe me të shkuarën e ashpër komuniste në Shqipëri. Për këtë fakt, ndryshimet nuk mund të priten në 30 vjet demokraci. “Ngritja e institucioneve nuk është e lehtë”, përcakton ai. “Kemi sfidat tona, por askush s’mund të na japë leksione mbi gjërat e këqija, sepse nuk i kemi shpikur ne”.

Një fjalë nuk e ka kursyer as për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për shtyp

Mbi një bashkim të mundshëm, Rama ka qenë dyshues, për shkak të vështirësive kushtetuese të Kosovës dhe të një ngrysjeje vetullash të ndërkombëtarëve nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

“Sigurisht që duam të bashkohemi me ta, por në gjithë rrugëtimin e bashkimit me BE-në. Kosova është në proces të ndërtimit të paqes me Serbinë. Fillimisht kjo, pastaj të tjerat”.

Ndërsa, mbi replikat me Kurtin, ai theksoi se interesat kombëtare, vijnë të parat. Më pas, çfarë ka të bëjë me politika ditore, nuk i interesojnë kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore