Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Basha premton lekë, unë punë


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral me mbështetësit socialistë të njësisë 1 në Tiranë, ku ka akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se “gjithçka ai premton, janë lekët”.

“Ai premton vetëm lekë, lekë, lekë. Unë ju premtoj vetëm punë, punë, punë. Jo vetëm punë për ju, por mbi të gjitha punën time të palodhur”.

“Premtoi tramvajin dhe uljen e çmimit të bukës. Premtime boshe sy më sy. Sytë e Bashës nuk panë më askënd pasi u fut në zyrën e Bashkisë së Tiranës, pasi u përgjumën. Asgjë nuk u bë në katër vitet e tija në krye të Tiranës”.

Ndër të tjera, kryeministri ka shtuar se“Shqipëria e para në rajon që thith fonde nga Bashkimi Evropian”.

Kryeministri gjithashtu i ka siguruar qytetarët se “drita në fund të tunelit për daljen nga pandemia, është e afërt”.

Sipas kryeministrit, pyetja e vërtetë për t’u bërë në këtë çast është: “Po më pas?”.

“As nuk diskutohet dalja nga lufta ndaj armikut të padukshëm. E vetmja gjë që duhet të diskutohet është çfarë do të ndodhë më pas. Çfarë do të ndodhë kur të lehtësohemi nga kjo situatë? Çfarë do të ndodhë kur kufijtë të hapen?”.

Sipas kryeministrit, reformat arsimore do të jenë themelore për mbarëvajtjen e vendit. Gjithashtu investimet për katër aeroporte janë shumë të rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës sipas tij.

Rama nënvizoi se gjatë mandateve të tij, “zyra e kryeministrit ka qenë e popullit”.

“Pushteti i zyrës time ka qenë i juaji. Asnjëherë pushteti im, apo i interesave të mia, familjarëve të mi. Pushteti i zyrës së kryeministrit ka qenë vetëm i juaji.

“Dielli i Shqipërisë nuk do të shkëlqeje vetëm për turistët. As vetëm për ata që kanë mundësinë ta shijojnë. Dielli i Shqipërisë, do të shkëlqeje për të gjithë ata që besojnë tek puna, tek vendi ynë, tek e ardhmja e Shqipërisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore