Shqipëria

Rakip Suli paraqitet në SPAK


Rakip Suli, kryetari i Bashkisë Kamëz, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

“Ditë e bukur sot!”, ka thënë Suli për gazetarët.

Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi të mërkurën e 1 nëntorit u shty për në datën 6 marrja në pyetje nga SPAK e kreut të Bashkisë së Kamzës.

Shkak për shtyrjen është mbërritja me vonesë e fletë-thirrjes nga policia te Rakip Suli.

Pas kallëzimit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK regjistroi procedim penal për bashkinë e drejtuar nga Suli.

Nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit.

Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten këtë javë.

Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut.

Në emër të banorëve të Kamzës, më 11 shtator Partia e Lirisë dhe këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kamëz, kallëzuan penalisht në SPAK, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli.

Duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë bashki, por edhe njoftimit dhe zhvillimit të mbledhjeve të këshillit online, ata kërkuan ndjekje penale për të zgjedhurin socialist për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje e barazisë në tendera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore