Lajme

Qeveria – në kërkim të zgjidhjes – do të shtojë masat anti-COVID’19


Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë gjatë periudhës së orës policore

Masat e reja anti-COVID’19 që filluan të aplikohen nga e premtja e kaluar (20 gusht) nuk kanë mjaftuar të ulet numri i të vdekurve dhe të infektuarve nga virusi, prandaj ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka zhvilluar një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, për të shqyrtuar masa shtesë në luftën pandemike.

Masat e reja do të fillojnë të aplikohen me urgjencë, derisa pritet që “këtë javë të futen në fuqi”, tha për Albanian Post kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, pas takimit me Vitinë.

“Të vlefshme do jenë deri me 13 shtator”, shtoi ai dhe më pas do të bëhet rivlerësim i situatës në terren për të parë efektivitetin e tyre.

“Viti i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator, të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00, gastronomia të mbyllet nga ora 21:30, të shtohet stafi shëndetësor për rreth 1 mijë profesionistë dhe gjithashtu inspektorët në terren”, deklaroi Ibrahimi për Albanian Post.

Veç masave, të cilat duhet të aprovohen edhe nga qeveria, në takim u fol shumë edhe për kërkesat e komunave për furnizim me barna esenciale.

“Kërkesë e AKK-së ishte të shtohen inspektimet në nivel komune dhe të ketë më shumë qendra për vaksinim, por kjo po varet edhe nga numri i vaksinave që ka Kosova në dispozicion. Po ashtu kërkuam që rekrutimi i stafit të ri të decentralizohet në nivel lokal”.

Kosova pritet të furnizohet me rreth 470 mijë vaksina nga COVAX gjatë javës së parë të shtatorit.

Ndërsa, numri i të infektuarve gjatë dy javëve të fundit ka shënuar rritje.

Të premten e 27 gushtit në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 16 persona të vdekur nga COVID-19 dhe dy mijë e 98 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 12 mijë e 564 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Në Kosovë, deri më tani, janë dhënë mbi 780 mijë vaksina kundër Coronavirusit, ndërsa me dy doza janë vaksinuar mbi 260 mijë qytetarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore