Kosova

Qeveria merret me arsyeshmërinë e kërkesave të grevistëve dhe jo me zgjidhjen e tyre


Me 12 shtator, e hënë, fillon një tjetër javë ku nxënësit në Kosovë nuk do të mund të vijojnë mësimet, pasi mësimdhënësit janë në grevë qysh nga 25 gushti.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues i grevistëve, ka thënë se krejt çfarë duan është dialog me qeverinë dhe 100 euro shtesë në muaj për mësimdhënës, derisa të bëhet ligji i ri për paga.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po refuzon ta takojë Jasharajn, përkundër ngërçit, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për media, ku thotë se takimet nuk kanë munguar.

Rrahman Jasharaj

“Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK, z. Atdhe Hykolli”, shkruan ai.

Por, grevistët duan që kryeministri, përveç Hykollit që është kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të takohet me Jasharajn e SBASHK-ut.

SBASHK-un nuk ka pranuar që ta takojë as Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ata janë pranuar në takim vetëm nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci.

Por, ajo është e pafuqishme të bëjë ndonjë zgjidhje në kërkesat e tyre, meqë ata duan rritje pagash.

“Komunikim ka pasur. Takime ka pasur”, shkruan Kryeziu në llogarinë e tij në Facebook.

“Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”.

Si filloi greva?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore