Lajme

Putin: Kemi informuar SHBA-të mbi sulmet kibernetike


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dalë në një konferencë për shtyp pas takimit me homologun e tij amerikan, Joe Biden, në Gjevenë.

Dy, kanë qenë pikat kryesore, mbi të cilat Putin ka folur: Rikthimi i ambasadorëve respektivë në detyrë dhe siguria kibernetike.

“Mendoj se palët treguan vullnet për t’u kuptuar njëra me tjetrën”, cilësoi Putin pas takimit. “Do të gjejmë një mënyrë për t’i afruar pozicionet tona”.

Rikthimi i ambasdorit amerikan në Moskë dhe atij rus në Washington, do të ndodhë, në tentativë për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara midis dy vendeve.

Duke e përshkruar Biden-in si “një burrë shteti me përvojë”, Putin njoftoi se ka përditësuar presidentin amerikan mbi çështje që i përkasin sigurisë kibernetike.

Këtu, përfshihen edhe pretendimet amerikane mbi sulme ruse ndaj kompanive të mëdha në SHBA.

“Dakordësuam se do të fillojmë konsultimet mbi këto çështje”, iu referua Putin-i rasteve.

Për sa i përket situatës Navalny, presidenti rus u përpoq ta shmangte temën, duke thënë se kryeopozitari rus, kërkon vazhdimisht të thyejë ligjin.

“Ai burrë e dinte shumë mirë që po thyente ligjet ruse. Ka qenë i dënuar dy herë edhe më parë”, përmblodhi mbi arrestimin e Alexei Navalny-t Putin-i.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, pritet ndërkaq të ketë së shpejti një konferencë për shtyp. Ai u pa të dilte nga takimi duke bërë një shenjë aprovuese ndaj kamerave mbi rezultatet e arritura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore