Lajme

Punëtorët shëndetësorë në grevë tetë orëshe


Ilustrim

Punëtorët e Shëndetësisë në Kosovë, këtë të Enjte nuk do të punojnë fare.

Ata kanë paralajmëruar se do të hynë në grevë për tetë orë, thotë njoftimi i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Shërbimet thuhet se do të jepen komfor Ligjit mbi Greva.

“Njoftojmë opinionin e gjerë se edhe për kundrejt pritjeve tona që të takohemi me institucionet shtetërore, kjo e fundit nuk ka reflektuar”.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si pasojë e mos përgjigjes nga ana e Qeverisë është e obliguar që nesër me datë 02.12.2021 e Enjte të mbajë Grevë 8(tetë) orëshe pranë institucioneve shëndetësore”, thuhet në këtë njoftim.

“Këshilli Qendror Grevist siguron se të gjitha shërbimet emergjente do të jepen komfor Ligjit mbi Greva. Me këtë rast kërkojmë mirëkuptim nga ana e popullatës”.

Ndërsa, sindikata ka thënë se nga greva përjashtohen punëtorët e punësuar në shërbime emergjente mjekësore dhe spitalore.

“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor, respektivisht miratimi në Parlament i Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe fillimi i implementimit të tij nga viti 2022”.

Një protestë e punëtorëve të shëndetësisë në Prishtinë

Më 25 nëntor, turni i parë i punës, i gjeti punëtorët e shëndetësisë në grevë urie.

Përmes një komunikate për medie sindikatat kanë kërkuar që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me Sindikatat dhe faktorë të tjerë. Ata kanë kërkuar që ky projektligj të adresohet sa më shpejt n parlament dhe i njëjti të fillojë së implementuari nga viti 2022.

“FSSHK-së paralajmëron se Grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë”, thuhej në komunikatë.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas fillimit të grevës nga stafi shëndetësor.

“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë”, thuhet në reagimin e PRAK.

Ndërkaq, më tetë nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kishte protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët kishin kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik dhe implementimin e tij, nga janari i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore