Kosova

Promovohet libri “Përtej dhimbjes, drejt guximit”


Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në shënimin e 19 qershorit, Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ka promovuar librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit”.

Ky libër përmban rrëfimet për traumën e dhunës seksuale në luftë.

Libri është përpjekje për të dokumentuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, është botuar në tre gjuhë, në atë shqipe, angleze dhe serbe.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci në fjalën e saj gjatë promovimit të  librit ka thënë se janë në mbështetje të viktimave.

“Jemi të vetëdijshëm edhe për obligimet qe i kemi edhe si institucione qe të krijojmë hapësira të sigurta që këto te mbijetuara ta kenë një mundësi më të madhe për të adresuar vuajtjet e tyre”, ka thënë ajo.

“Përveç krijimit të hapësirës ku mund të flitet haptazi, duhet të sigurohemi që në këto procese të jemi aty për të shërbyer edhe sa i përket çështjes së drejtësisë”, shtoi ajo.

Ndër të tjera Bugujevci tha se ka edhe elemente të tjera që duhet të sigurohen t’i rregullojnë karshi nevojave që i kanë.

“Ne do jemi aty për çdo proces që është i nevojshëm”.

Përgjatë vitit 2020, QKRMT dhe forum ZFD programi në Kosovë, janë përfshirë në një proces hulumtues duke intervistuar dhjetë familjarë të të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë dhe dy burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Dokumentimi i këtyre historive po ashtu synon të kontribuojë në diversifikimin e rrëfimit për luftën në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore