Lajme

Prokuroria serbe thotë se është duke mbledhur ende dëshmi për Radojiçiç-in


Radojiçiç i fshehur në Manastirin e Banjës pas sulmit terrorist

Prokuroria e Lartë Publike në Serbi ka thënë se hetimet për kriminelin Milan Radojiçiç – i cili mori përsipër sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit – janë duke vazhduar dhe se janë ende në fazën e mbledhjes dhe sigurimit të provave.

Këto komente, Prokuroria serbe i ka bërë në një përgjigje për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”.

Sipas Prokurorisë serbe, Radojiç dyshohet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Radojiçiç ishte arrestuar në Serbi më 3 tetor, për t’u liruar një ditë më pas, kjo pasi që e kishte marrë përgjegjësinë për sulmit terrorist të 24 shtatorit ku kishte mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd kishte refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar masën e paraburgimit, por atij i ishte caktuar masa e ndalimit, e cila i ndalonte të largohej nga territori i Serbia pa lejen e gjykatës dhe i ka ndaluar të vijë në territorin e Kosovë dhe është urdhëruar të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që Radojiçiç të ekstradohet në Kosovë, për t’u gjykuar këtu, për shkak të sulmit terrorist, derisa autoritetet serbe, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiç, e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit, teksa i kanë bërë thirrje Serbisë që personat përgjegjës të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore