Lajme

Prokuroria fillon hetimet ndaj dy zyrtarëve të VV-së që u përleshen


Ragip Fetahu dhe Artrit Mulliqi.

Dy asamblistët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Ragip Fetahu dhe Artrit Mulliqi dyshohet se janë rrahur në mes vete.

Rreth këtij rasti Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Pas informimit të prokurorit kujdestar nga policia, me urdhër të njëjtit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë çështje penale”, deklaroi Ulaj për AP.

Komuna e Podujevës.

Të dy asamblistët janë përleshur fizikisht mes vete të hënën rreth orës 11:00 në oborrin e Komunës së Podujevës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 11:00 jemi informuar se ka një mosmarrëveshje ne afërsi të objektit të komunës së Podujevës. Njësia policore ka dalë në vendngjarje ku për intervistim ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Versionin e tij të ngjarjes e ka sqaruar edhe Ragip Fetahu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dashur qytetarë, sot në oborrin e Komunës jam sulmuar fizikisht nga kolegu im z. Artrit Mulliqi. Duke u kthyer për në Komunë, z. Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërkuar votë për shef të asamblistëve, secili e ka punën e tij, mos m’u drejto mua kështu”.

Ai tutje ka thënë se dëshmi e sulmit që ka ndodhur ndaj tij janë edhe kamerat e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore