Lajme

Prishtinasit protestojnë kundër mbylljes së rrugës “George Bush”


Disa qytetarë në Prishtinë kanë protestuar kundër mbylljes së rrugës “George Bush” nga komuna, derisa Fatmir Muçolli, njëri nga protestuesit tha se kërkojnë nga kryetari Përparim Rama që ta hap rrugën për të cilën sipas tij, kreu i kryeqytetit kishte premtuar që do jetë e mbyllur vetëm një javë.

“Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taksistëve. Megjithatë, realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht. Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë”, tha Muqolli.

Ndërsa një ditë më parë, kryetari i komunës së Prishtinë, Përparim Rama, në një konferencë për media ka prezantuar Projektin për Transformimin e Bulevardit “George Bush” në kryeqytet.

Bulevardi “George Bush”, sipas Ramës, do të shndërrohet në një hapësirë urbane bashkëkohore duke reflektuar nevojat e qytetarëve dhe promovuar një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër.

“Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do të mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit”, theksoi Rama.

Sipas Ramës, projekti për Transformimin e Bulevardit “George Bush”, synon të rivlerësojë trashëgiminë arkitektonike të Prishtinës duke bërë protagonistë të projektit Hotelin Grand, ndërtesën e RTK, Bibliotekën Universitare “Pjetër Bogdani” dhe Katedralen “Nënë Tereza”, ndërtesa të cilat shihen si përbërësit kryesorë të skenografisë urbane në këtë ndërhyrje.

Prishtina digjitalizon aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore