Lajme

“Pretendimi i dëshpëruar i Vuçiç-it s’qëndron”, Gërvalla e mohon se Kosovën e ç’njohën 28 shtete


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka mohuar se Kosovës i janë hequr 28 njohje, siç pretendoi të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Pretendimi i dëshpëruar i presidentit serb nuk qëndron. Gjatë këtij mandati qeverisës nuk ka pasur asnjë ç‘njohje të vetme”, tha Gërvalla për Euro News Albania.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Në asnjë rast nuk është diskutuar mundësia për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës siç pretendohet në lajme të rreme dhe kampanja destruktive mediale të prodhuara nga Serbia”.

Të mërkurën, Vuçiç deklaroi se gjatë viteve që partia e tij ndodhet në pushtet, falë politikës së tij të jashtme ka hequr 28 njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Gjatë qeverisjes sime 28 shtete e tërhoqën njohjen e Kosovës”, pretendoi Vuçiç.

Për të siguruar mandatin e radhës në zgjedhjet e 17 dhjetorit, Vuçiç ka bërë premtimet të shumta ekonomike, të cilat kanë ndezur debate në Serbi.

Partia Progresive e Serbisë (SNS) ka hapur një qendër të thirrjeve në Beograd, ku janë të punësuar rreth 350 aktivistë, transmeton Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS), detyra kryesore e të cilëve është të thërrasin qytetarët serbë dhe t’u kërkojnë vota për partinë në pushtet në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të planifikuara më 17 dhjetor 2023.

Nga atje më shumë se 100 persona telefonojnë qytetarët serbë çdo ditë dhe i pyesin nëse do të votojnë për SNS-në e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit, ndërsa CINS ka hedhur dyshime për blerjen e votave nëpërmjet parave nga “fondet e zeza” të SNS-së dhe dhënien ose marrjen e ryshfetit në lidhje me zgjedhjet.

CINS ka zbuluar se si punësohen njerëzit për të punuar në këtë qendër, sa paguhen dhe cili është parakushti kryesor. Në këtë grup, sipas hulumtimit, janë punësuar mbi 350 persona, aktivistë të SNS-së, ndërsa punojnë me turne dhe marrin rrogë ditore prej rreth 50 euro për pak më shumë se katër orë punë, përfshirë shtesa për ushqim dhe kafe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore