Lajme

Power: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke


Samantha Power

Shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, është shprehur këtë të enjte se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “është një hap absolutisht kritik që duhet të ndërmerret, për të siguruar që normalizimi të mund të vazhdojë”, dhe se procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Sigurisht kjo është diçka që zyrtarët në Serbi e ngritën dhe e konsiderojnë shumë të rëndësishme, ashtu si edhe njerëzit në këtu. Kështu që unë mendoj se për ne është më pak se a jemi optimistë e gjëra të tilla, dhe më shumë për angazhimin e të gjitha palëve të shohin se cilat do të jenë përfitimet, nëse mund të ndërmerren këto hapa të vështirë. Përsëri, marrëveshja është aty, ka urgjencë, për shembull, për të krijuar Asociacionin”, tha ajo, gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit.

“Ne shpresojmë që tani që më në fund ka ndodhur dialogu për atë se si mund të duket, edhe nëse palët ende nuk janë dakorduar për një vizion, se cilat do të jenë modalitetet, madje kjo është hera e parë që ka ndodhur ky lloj angazhimi përmbajtësor”.

Ndërkaq, Power nënvizoi se është e rëndësishme që idetë të shkëmbehen dhe të arrihet kompromisi, “në mënyrë që normalizimi të mund të vazhdojë që do të rezultojë përfundimisht, me njohjen reciproke”.

“Është e qartë se vendime shumë të rëndësishme duhet të merren ende”, pohoi ajo.

Ndërsa tha këto, diplomatja e lartë amerikane përmendi edhe marrëveshjen për personat e pagjetur, e dakorduar me 2 maj në Bruksel në takimin e nivelit të lartë, në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, të cilën e konsideroi në funksion të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Edhe kjo marrëveshje, mendoj se është vetëm një hap dhe sigurisht që duhet të zbatohet, është një marrëveshje e rëndësishme dhe nuk është diçka që kishte ndodhur më parë”, deklaroi Power.

Ndryshe, shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Poëer, ka ardhur në Kosovë këtë të enjte, dhe do të qendrojë deri të premtem.

Pra, ajo do të qëndrojë në vendin tonë për një vizitë dy ditore, përgjatë të cilave janë planifikuar takime me krerë të shtetit.

Një ditë më parë, ajo vizitoi Serbinë, ku pas takimeve me krerët e shtetit mbajti një konferencë për medie.

“Është e qartë se duhet të ketë progres në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe kjo është diçka që Shtetet e Bashkuara e kanë adresuar në çdo angazhim, sigurisht që është diçka shumë e rëndësishme edhe për popullin serb këtu në Serbi, dhe qeverinë serbe”, tha Power.

Pas takimeve që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç, diplomatja amerikane tha se edhe zotimi rreth Deklaratës për të Pagjeturit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është progres i rëndësishëm.

“Procesi i normalizimit ka bërë përparim, për faktin se tani së fundmi keni një marrëveshje për bashkëpunim për të identifikuar eshtrat e personave të zhdukur. Kjo është diçka që ka qenë e pamundur nga 1999 deri më sot, dhe tani është e mundur”, theksoi Power.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore