Lajme

Poloni – Kushtetuta apo BE-ja


Gjykata Kushtetuese e Polonisë e ka shtyrë vendimin për të vendosur se cila palë ka të drejtë mbi “ligjin për drejtësinë”.

Vendimi do të merret më 22 shtator, kur do të vendoset nëse kushtetuta e vendit ose traktatet e Bashkimit Evropian (BE) kanë përparësi.

Ky gjykim mund t’i lëkundë më tej marrëdhëniet tashmë të trazuara të Varshavës me bllokun.

Katalizatori i vendimit ka qenë një mosmarrëveshje e gjatë me BE-në mbi ndryshimet në sistemin gjyqësor në Poloni, me Brukselin të zemëruar nga ato që ai i sheh si përpjekje për të minuar pavarësinë e gjyqësorit.

Varshava akuzon Brukselin për ndërhyrje të pajustifikuar në punët e saj të brendshme.

Prioriteti i ligjeve evropiane mbi ato kombëtare është parimi kryesor i integrimit në BE.

Politikanët e opozitës në Poloni thonë se sfida e kryeministrit Mateusz Moraëiecki ndaj këtij parimi, jo vetëm që rrezikon të ardhmen afatgjatë të vendit në një bashkim që ka ndihmuar në nxitjen e rritjes së tij ekonomike, por edhe stabilitetin e vet bllokut.

“Nëse në një moment Polonia ndalon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i gjithë sistemi i BE -së prishet”, tha një zyrtar i BE -së për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Qeveria polake argumenton se traktatet e BE-së nuk i japin Brukselit të drejtën të ndërhyjë në sistemet gjyqësore të shteteve anëtare dhe se Polonia po trajtohet padrejtësisht, pasi vendet e tjera evropiane organizojnë gjykata në një mënyrë të ngjashme.

“Kushtetuta është ligji më i lartë në vendin tonë”, tha ministri i kabinetit, Michal Wojcik në një deklaratë.

Ndërsa disa juristë përdorin termin “Polexit” për të përshkruar ato që ata thonë se janë përpjekjet e Varshavës për ta hequr veten nga kuadri ligjor i BE-së, Polonia nuk ka gjasa të largohet nga blloku për një të ardhme të parashikueshme.

Nuk ka asnjë mënyrë ligjore për t’i dëbuar vendet nga BE.

Disa kritikë të qeverisë thonë se Polonia rrezikon një humbje të fondeve të BE-së.

Qeveria është akuzuar për politizimin e organeve kryesore në sistemin gjyqësor, përfshirë vetë Gjykatën Kushtetuese.

Nacionalistët në pushtet në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), thonë se reformat ishin të nevojshme për të hequr ndikimin e epokës komuniste, duke pohuar se shumë gjyqtarë e konsideronin veten si mbi ligjin.

Gjykata e Lartë e BE-së gjithashtu vendosi muajin e kaluar se një dhomë disiplinore polake për gjyqtarë ishte e paligjshme, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese në Varshavë vendosi që Polonia duhet të injorojë një kërkesë të mëparshme për të ndaluar funksionimin e dhomës.

Pas një kërcënimi të gjobave të mundshme financiare nga Komisioni Evropian, Polonia tha se do të shpërndajë dhomën, por nuk arriti të japë detaje sesi do ta zëvendësojë atë.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore