Lajme

Policia e Kosovës: Festa e Vitit të Ri kaloi pa incidente madhore


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nata e Vitit të Ri 2022, ka kaluar e qetë dhe pa incidente madhore.

“Referuar raportimeve nga të gjitha Drejtoritë Rajonale Policore (DRP), nata e vitit të ri ka kaluar kryesisht e qetë, megjithëse janë raportuar disa raste ku janë përdorur armë zjarri ‘për të festuar’ dhe incidente me lëndime të lehta nga përdorimi i pakujdesshëm i mjeteve piroteknike”, thuhet në komunikatë.

Me rastin e festës, PK-ja ka thënë se ka hartuar urdhrin operative, i cili parashihte zbatimin e disa pikave.

Policia e Kosovës me rastin e festës së vitit të ri, ka hartuar dhe zbatuar urdhrin operativ, ku në pika të përgjithshme parashihej shtimi i masave të sigurisë, shtimi i prezencës policore në ambiente ku parashihet të ketë prezencë më të madhe të qytetarëve, kontrolli në trafik, kontrolli në pikat kufitare përfshirë aeroportin.

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ndërsa, në aspektin e sigurisë të premten e 31 dhjetorit, nuk është raportuar për asnjë aksident trafiku me fatalitet.

“Policia e Kosovës të gjithë qytetarëve të vendit ua uron vitin e ri 2022, të jetë edhe ky vit, vit i bashkëpunimit të qytetarëve më policinë, në të mirë të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, jetës dhe pronës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, shtatë persona janë lënduar nga mjetet piroteknike dhe një person tjetër nga plumbi qorr në natën e ndërrimit të moteve në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur mjeku kujdestar, Agron Çitaku, në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore