Lajme

Plagosen dy persona në Podujevë, arrestohet një person


Policia e Kosovës.

Një plagosje ka ndodhur në komunën e Podujevës nga e cila kanë mbetur të lënduar dy persona dhe është arrestuar një person.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Nuhi Gashi”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në rastin e plagosjes me armë zjarri në Podujevë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”, deklaroi Borovci për AP.

Ilustrim.

Ai tutje tha se të plagosurit janë duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

“Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes”.

Gjithashtu, nga ana e Policisë është thënë se është duke u vazhduar edhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore