Lajme

Përshkallëzimi bërthamor: A kanë SHBA-të të dhëna të reja?


Nuk është hera e parë që një dalje e presidentit amerikan Joe Biden ka habitur opinionin publik dhe, mbi të gjitha, drejtuesit dhe ministrat e administratës.

“Putini nuk po bën bllof, ne kurrë nuk kemi qenë kaq afër katastrofës bërthamore që nga kriza e raketave kubane”, tha ai të enjten në mbrëmje në një ngjarje për mbledhjen e fondeve në New York.

Fjalë që, natyrisht, mbjellin dyshime dhe shqetësime.

Lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

A kanë amerikanët informacione të reja për lëvizjet e Putinit?

Në prag të luftës, Biden kishte paralajmëruar Perëndimin, duke iu referuar vazhdimisht informacioneve nga shërbimet sekrete amerikane, apo imazheve satelitore.

Alarmi i tij, megjithatë, u prit me skepticizëm të përgjithshëm. Faktet më pas dëshmuan se ai kishte pasur të drejtë: tanket ruse pushtuan Ukrainën, duke synuar Kievin.

Të enjten në mbrëmje, megjithatë, kur Biden foli, nuk e përmendi kurrë inteligjencën amerikane. Ai nuk kujtoi ndonjë të dhënë që mund të sugjeronte përgatitjet që po kryheshin nga rusët.

Presidenti amerikan, nga ana tjetër, vuri në pah eksperiencën e tij: “E njoh Putinin, e di që e ka seriozisht”.

Shtëpia e Bardhë më pas specifikoi se linja nuk ndryshon: qeveria nuk ka “informacion të ri” mbi strategjinë atomike të Kremlinit.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, zëdhënësit konfirmojnë se rreziku i një përshkallëzimi bërthamor është më i lartë.

Biden foli për Harmagedonin, për katastrofën bërthamore, a është një rrezik real ky?

Presidenti amerikan përdori një imazh të marrë nga Dhiata e Re: Harmagedoni, dueli i fundit midis së mirës dhe së keqes, përpara Gjykimit të Fundit.

Fjalët e tij pasqyrojnë shqetësimin e Pentagonit: nëse banalizohet bomba atomike, 77 vjet pas shkatërrimit të Hiroshimës dhe Nagasakit, është shumë e vështirë të kthehesh prapa.

Deri më tani është folur gjithmonë për “armë taktike bërthamore”, pra bomba me rreze veprimi rreth 1-2 kilometra, por me efekte shkatërruese.

Askush në Washington nuk mund të parashikojë atë që Putin ka në mendje: ndoshta një shpërthim demonstrues?

Ndoshta Sulm ndaj objektivave ushtarake? Apo përdorimin pa asnjë kujdes të bombës për të terrorizuar ukrainasit dhe për t’i detyruar ata të dorëzohen?

A kanë Shtetet e Bashkuara një plan për t’iu përgjigjur një sulmi të mundshëm bërthamor rus?

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se ekspertët e Pentagonit dhe NATO-s po pregatisin një reagim “për çdo lloj skenari”.

Kjo punë ka filluar të paktën që prej prillit të kaluar. Por asgjë nuk ka dalë që atëherë.

Ka vetëm hipoteza dhe simulime të kryera nga qendra studimore amerikane apo evropiane të ndryshme.

Në thelb mendohet për tre skenarë.

Së pari: Shtetet e Bashkuara dhe evropianët mund të japin edhe armët më vdekjeprurëse Volodymyr Zelensky-t, përfshirë avionët për të goditur pozicionet ruse në Ukrainën juglindore.

Së dyti: raketat e NATO-s shkatërrojnë bazat e përdorura nga rusët për të lëshuar bomba bërthamore taktike.

Së treti: SHBA-të mbështesin operacionet e Ukrainës për të goditur objektivat në territorin rus.

Nga ana tjetër, propozimi i Zelensky-t, ai për një sulm parandalues ​​nga amerikanët për të shkatërruar infrastrukturat që mund të përdoren nga rusët, përjashtohet komplet.

Është koha për negociata?

Blinken deklaroi më herët se Shtetet e Bashkuara janë “gati” për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë “me diplomaci”.

Megjithatë, me kusht që Kremlini “të tregojë se e ka seriozisht në ndjekjen e kësaj rruge”.

Ama kjo është vetëm një hapje e dukshme. Në realitet, ngërçi vazhdon.

Sinjalet e kundërta vijnë nga fusha e betejës: dy ushtritë duket se po përgatiten për një luftë të gjatë llogoresh për të kapërcyer dimrin.

Amerikanët, megjithatë, po rrisin presionin ndaj Kinës për të bashkëpunuar për të zbutur kërcënimet e Kremlinit.

Ka një datë në kalendar për të shënuar: 15 nëntor, samiti i G20 në Bali, Indonezi. Të gjithë duhet të jenë aty: Biden, Xi Jinping dhe Putin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore