Shqipëria

Përfundon afati i Komisionit Hetimor, Presidenti Meta nuk paraqitet


Nëpërmjet një shkrese drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Presidenti Meta ka shprehur se nuk do të marrë pjesë në seancën dëgjimore të 24 majit, që është dhe afati i fundit që ai të paraqitet.

Sipas deklaratës, e cila u është dorëzuar anëtarëve të Komisionit Hetimor, Meta e konsideron këtë proces në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin.

Presidenti i Republikës të Shqipërisë, në shkresë i përmbahet të njëjtit qëndrim të datës 16 maj.

Sipas deklaratës së shkruar, ai nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

“Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit”, shkruhet më tej.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës bën thirrje për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit të mandatit.

Në mbyllje të deklaratës së shkruar, Presidenti Meta ka riparaqitur shkresën e datës 16 maj, të cilës i qëndron edhe sot.

Komisioni Hetimor, kësisoj, vijon punimet me diskutimet e të hënës së 24 majit, pa praninë e Presidentit mbi shkeljet kushtetuese të tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Funksioni i Komisionit Hetimor

Ky komision u ngrit pas firmave të 49 deputetëve dhe pritej të hetonte deklaratat dhe veprimtarinë e Metës, sipas pretendimeve të mazhorancës.

Pjesë e këtij komisioni janë nëntë anëtarë. Kryetar është deputeti socialist, Alket Hyseni. zëvendëskryetar është përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi.

Anëtarë të tjerë të komisionit janë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Ky komision i posaçëm, në fund të punës së tij, do t’i paraqesë Kuvendit një raport. Ky i fundit, nëse e voton shkarkimin e Metës, e çon çështjen më pas në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja është ajo që ka vendimin përfundimtar mbi fatin politik të presidentit, nëse ai qëndron në detyrë apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore