Euro 2020

Përfundojnë ndeshjet e fundit në fazën e grupeve në Euro 2020, nuk ka surpriza


Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Euro 2020, ato në Grupin F. Përballjet mes Portugalisë dhe Francës dhe Gjermanisë me Hungarinë kanë përfunduar me rezultatin e njëjtë 2-2.

Nuk ka surpriza përsa i përketë kualifikimit, Franca, Gjermania dhe Portugalia kalojnë në raundin tjetër të Euro 2020, ndërsa Hungaria eleminohet nga turneu.

Kryendeshja ishte ajo mes Portugalisë dhe Francës. Dy gola shënoi Cristiano Ronaldo dhe dy Karim Benzema.

Portugezi tashmë ka prekur rekorin e iranianit Ali Daei me 109 gola me kombëtaren dhe është vetëm një gol larg për t’u shpalluar golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve.

Ndërkohë, Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madrid-it, Ligës së Kampionëve, Kombëtares së Portugalisë, Evropianit dhe në historinë e futbollit.

Përballja mes Portugalisë dhe Francës pati tre penallti. Dy për Portugalinë dhe një për Francën, që u shndruan në gol përkatësisht nga Ronaldo në minutat 31 dhe 60 dhe Benzema në minutën e 45+2 të pjesës së parë.

Benzema shënoi golin e dytë në minutën e 47 të pjesës së dytë, pas asistit nga Paul Pogba.

Në sfidën tjetër në këtë grup, ishte Hungaria që befasoi dy herë Gjermanët por nuk arriti të mbronte avantazhin.

Fillimisht shënoi Adam Szalai, duke i shpëtuar mbrojtjes gjermane, në minutën e 11. Ndeshja u barazua në minutën e 66 nga Kai Havertz, por vetëm dy minuta më vonë gjermanët ndëshkohen përsëri.

Andras Schafer-i shënoi golin e dytë për Hungarinë, por Leon Goretzka do të ishte lojtari që do të vuloste shifrat e takimit në 2-2, me golin e shënuar në minutën e 84.

Në raundin e të 16-ve, Franca do të ketë përballë Zvicrën, Portugalia Belgjikën dhe Gjermania do të ndeshet me Anglinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore