Lajme

Pas Leposaviqit, Kurti vendos lule në pllakën përkujtimore të Enver Zymberit në Veri


Albin Kurti në Zubin Potok

Pas vizitës në Komunën e Leposaviqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut.

Kurti në Zubin Potok ka përuruar pllakën përkujtimore e ndërtuar për nder të policit kosovar, Enver Zymberi, në vendin ku ky i fundit u vra në vitin 2011.

Të pranishëm në ketë përurim përveç Kurtit, ishte edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, Ministri i Punëve te Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Gjatë qëndrimit në Zubin Potok, Kurti, siç njofton mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, ka takuar edhe kryetarin e kësaj komune, Izmir Zeqirin.

Albin Kurti në Zubin Potok

Ndryshe gjatë ditës Kurti gjatë vizitës së tij në Komunën e Leposaviqit, ka takuar kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi që më 21 prill të mbahet votimi për largimin e katër kryetarëve të komunave Veriore, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Caktimi i datës së largimit të kryetarëve të komunave Veriore erdhi pas procesit të suksesshëm të  mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të Peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Në Veri të Kosovës, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan.

BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.

Që nga ajo kohë deri më sot masat e BE-së nuk janë larguar ende ndërsa Kosova po vuan pasojat e tyre.

Përveç në aspektin financiar – pezullimin e projekteve, granteve e fondeve të ndryshme – masat e BE-së kanë ndikuar edhe në imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kurti në Veri, viziton Komunën e Leposaviqit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore