Lajme

Para Petkoviç’it, Bislimi takohet me Varhelyi’in


Oliver Varhelyi dhe Besnik Bislimi

Para takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç’in në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare, ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.

Takimin në fjalë e ka lajmëruar vetë diplomat hungarez, Varhelyi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter.

Sipas Varhelyit në takim me Bislimin ndër të tjera është diskutuar se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë Komisioni Evropian në rast se dialogu Kosovë-Serbi arrin rezultate pozitive.

“Diskutuam për axhendën e reformës së BE-së dhe detyrat që na presin dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Kosovë-Serbi të jetë i suksesshëm”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Ndryshe takimi ndërmjet Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç’it do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak’ut.

Si zakonisht delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kenë takime të ndara bilaterale me Lajçakun, dhe më pas vjen takimi trilateral.

Bashkimi Evropian, gjegjësisht zëdhënësi, Peter Stano, ka deklaruar të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në Veri të Kosovës – djegia e veturave të serbëve të cilët kishin konvertuar targat nga ato ilegale “KM” në ato legale “RKS” – nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Ky do të jetë takimi i parë i Kosovës dhe Serbisë pas dakordimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore