Kosova

Letra e Gërvallës nxit përplasje mes qeverisë dhe presidencës – Scholz, Macron dhe Meloni s’e ndërrojnë mendjen


Emmanuel Macron, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Një draftstatut i Bashkimit Evropian (BE) në formë ultimatumi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përkundër se është pranuar në parim nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, vitin e kaluar, sërish është kthyer në shoqëruesin e paevitueshëm të ekspozimit të mospajtimeve dhe përplasjeve midis zyrtarëve kosovarë dhe liderëve evropianë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një letër drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njoftoi se ekzekutivi kosovar është duke përgatitur një draftstatut për mekanizmin vetëmenaxhues për serbët të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në fund të majit, duke u shmangur nga zotimet e kaluara.

Gjatë një konference për media, shefja e diplomacisë kosovare nuk ofroi detaje për vizionin e Qeverisë së Kosovës për hartimin e draftstatutit të paralajmëruar, por ashtu sikurse shkroi edhe në letrën që e nisi drejt Këshillit të Evropës, përsëriti se do të frymëzohen nga një dokument i paraqitur për këtë çështje vitin e kaluar nga organizata Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

“Angazhimi ynë është shumë i sinqertë dhe shumë serioz, por ne presim që partnerët tanë ndërkombëtarë ta vlerësojnë këtë angazhim, dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër, ne do të shohim nëse do të jemi në gjendje, në fund të fundit, ta draftojmë një dokument të tillë dhe më pas ta paraqesim. Deri më tani nuk jemi në procese të avancuara”, shtoi shefja e diplomacisë.

Përkundër se autoritetet kosovare kanë pasur mundësinë për 10 vjetët e fundit të përpunojnë një koncept të përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – një detyrë urgjente juridikisht, ashtu edhe në aspektin urtisë politike – këtë hap nuk e ka bërë askush, përveç ekspertëve ligjorë të shteteve evropiane, posaçërisht të Francës dhe Gjermanisë.

Sidoqoftë, zotimi i Qeverisë së Kosovës erdhi në prag të seasionit pranveror të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i vendit të vogël ballkanik nuk është në rend dite për shkak se kryeministri Kurti shfrytëzoi edhe njëherë zotësinë që t’i torturojë edhe njëherë liderët evropianë. Megjithatë, kjo lëvizje nuk u prit mirë nga Presidenca e Kosovës.

Në një deklaratë të enjten, zyra për shtyp njoftoi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk u konsultua nga Qeveria e Kosovës për letrën të cilën e nisën në adresën e Këshillit të Evropës të mërkurën, duke theksuar se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruara nga tri institucionet qendrore duhet të koordinohet dhe miratohet nga qeveria, presidenca e kuvendi.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës e Kosovës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë”, nënvizoi zyra e presidentes.

Megjithatë, kryeministri Kurti mori një goditje të fortë edhe nga liderët evropianë. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ngulën këmbë në draftstatutin e propozuar nga Emisari Special i BE-së, Mirosllav Lajçak, për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Ai është model i qëndrueshëm, i përpiluar me kujdes me ndihmën e ligjvënësve dhe ekspertëve evropianë, në përputhje me praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai i merr parasysh plotësisht të gjitha vijat tuaja të kuqe, si dhe kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë”, potencuan boshti Scholz, Macron e Meloni.

Vjeshtën e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së ua paraqiti liderëve në Prishtinë dhe Beograd draftstatutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky draftstatut, në bazë të deklaratave të zyrtarëve evropianë, merr parasysh “vijat e kuqe” të përcaktuara nga ligji kushtetues i Kosovës.

Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe konsiderohet obligim i pazbatuar, i cili buron nga marrëveshja e vitit 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave dhe ka fuqinë ligjore të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Ekskluzive: Letra e Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kurtin: Hapat që ndërmore s’mjaftojnë, duhet dërgim në Kushtetuese i draftit të BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore