Lajme

“Padia ndaj Serbisë për krimet në Kosovë, është obligim”


“Serbia me patjetër duhet të paditet për krimet monstruoze që i ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës”.

Kështu, ka deklaruar përmes një prononcimi me shkrim për Albanian Post, anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Sipas tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka të gjitha mundësitë për të ndërmarrë një veprim të tillë.

“Forma dhe koha se si do të procedohet tutje mbetën të shihen në të ardhmen. Varet vetëm nga vullneti i kryeministrit Kurti”, theksoi ai.

Haradinaj po ashtu, potencoi se ka qenë pikërisht Kurti, ai i cili “e ka përmendur më së shumti këtë iniciativë dhe tani që është në pushtet nuk duhet të ik nga ajo”.

Në anën tjetër lidhur me këtë çështje, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, pati deklaruar se kjo padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është duke u përgatitur që të parashtrohet deri në fund të këtij viti.

“Në Kosovë ka pas gjenocid dhe ne do të mundohemi të dëshmojmë këtë, jemi në vazhdën e angazhimeve të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje”, kishte deklaruar Kelmendi në një prononcim Koha.

Vite më parë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte përsëritur për disa herë deklaratat se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojnë këto krime dhe shumë shpejt do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë”, ishte shprehur Thaçi përmes llogarisë së tij Facebook.

Padia për gjenocid, konsiderohet si padia më e madhe që një shtet mund t’i drejtojë një shteti tjetër. Kështu ka vlerësuar politologu Shkelzen Krivaqa.

“Gjenocidi është akuza më supreme që një shtet mund të ia drejtojë një shteti tjetër”, pati thënë Krivaqa për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore