Lajme

Osmani u bën thirrje viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës që të aplikojnë për njohje të statusit


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takim me anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që ta shfrytëzojnë të drejtën e aplikimin për njohje të statusit.

Këtë thirrje presidentja e ka bërë gjatë një takimi me anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, të kryesuar nga kryetarja Leonora Selmani.

E para e shtetit, ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, ka njoftuar Zyra e Presidencës.

“Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, të cilat ende ballafaqohen me stigmatizim dhe mungesë të drejtësisë, sikurse edhe rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave nga Komisioni me profesionalizëm të lartë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar për punën e Komisionit në bashkëpunim me Presidencën.

“Presidentja Osmani vlerësoi zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, por potencoi se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar.  Ajo shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviç-it duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre”.

“Tutje, Presidentja Osmani, duke u bazuar në Ligjin e sapo miratuar, përsëriti thirrjen e saj që të shfrytëzohet e drejta e garantuar me ligj për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës”.

Po ashtu, në këtë takim është thënë se kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin me këtë Komision, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në tetor.

Më 12 prill, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur 14 prillin si ditë memoriale të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore