Lajme

Osmani takon Hovenier e Hyland, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës është thënë se kanë diskutuar për format e avancimit të partneritetit.

“Vjosa Osmani priti në takim në rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ishte prezente dhe drejtoresha për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland”.

“Në takim, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, si dhe u fol për format konkrete të avancimit të partneritetit e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.

Më 15 dhjetor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka qenë i shoqëruar edhe me Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland.

Sipas një njoftimi të lëshuar në media pas takimit bëhet e ditur se Kurti së bashku me Hovenier e Hylan kanë diskutuar për marrëdhëniet e forta dypalëshe, bashkëpunimin në shumë fusha.

“Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4 mijë e 200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS”.

Kurti në këtë takim, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ka falënderuar ambasadorin Hovenier, për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore