Shqipëria

Osmani takon Hasanin: Kur jemi përkrahë njëri-tjetrit, s’ka sfidë që nuk tejkalohet


Vjosa Osmani dhe Igli Hasani

Qytetarët e Kosovës, sipas presidentes Vjosa Osmani, llogarisin gjithnjë në përkrahjen e Shqipërisë në çdo rrugëtim.

Këto komente, e para e vendit i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas takimit që ka pasur me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë, ku edhe i ka uruar mirëseardhje.

“Kur jemi përkrah njëri-tjetrit, nuk ka sfidë që nuk tejkalohet dhe nuk ka rezultat që nuk mund të arrihet me sukses”, ka shkruar Osmani.

Nga ana tjetër, duke folur për këtë takim, ministri Hasani i ka shprehur mirënjohje presidentes Osmani për mikpritjen, derisa ka bërë të ditur se kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve respektive dhe situatën aktuale në rajon.

“E sigurova  Presidenten Osmani se Shqipëria është do të vazhdojë të jetë përherë mbështetësja më me zë e Kosovës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare”, shkroi ai në X.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryediplomati shqiptar fillimisht është takuar me homologen nga Kosova, Donika Gërvalla, me të cilën kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media.

Aty Hasani theksoi se rajoni aktualisht është më i kërcënuar sesa në cdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit.

Ai theksoi se rajoni ndodhet në një moment delikat, pavarësisht progresit së realizuar gjatë viteve të shkuara.

Për të, ka ardhur koha që vendet dhe forcat pro-Bashkimit Evropian të punojnë së bashku për të avancuar bashkëpunimin drejt paqes, sigurisë dhe integrimit.

Sipas tij, në bashkëpunimin për të ardhmen e rajonit, Shqipëria e Kosova janë në zemër të kësaj përpjekje.

Hasani në fjalën e tij dënoi sërish sulmin e 24 shtatorit në Banjë, për të cilin tha se ishte një akt kriminal kundër stabilitetit pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës.

“Autorët organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë për të mos lejuar një përshkallëzim më tej të situatës”.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike, ndërsa ka shtuar se integrimi rajonal në BE është mënyra e vetme për të garantuar paqen e stabilitetin e Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë interlokutori më i mirë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Do të vazhdojmë të jemi jo vetëm me vëmendje maksimale për atë që duhet bërë për avancimin e agjendës së Kosovë në integrimin në BE, por edhe për t’i përcjellë vëllezërve dhe motrave tona në Prishtinë kush janë problemet, shqetësimet dhe hapat që ne modestish mendojmë se duhet ndërmerren bazuar në eksperiencat tona”.

Hasani: Rajoni është i kërcënuar, Shqipëria dhe Kosova të tregojnë bashkëpunim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore