Lajme

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i Malajzisë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të mërkurën ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Presidentja Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam. Në takim me ambasadorin Rastam, Presidentja Osmani, shfaqi besimin se përgjatë mandatit të tij, do të forcohen edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Malajzisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Osmani ka kërkuar mbështetje nga Malajzia për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e organizatës ASEAN.

Çështje diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

“Në të njëjtën kohë u diskutua edhe për eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim me Malajzinë, veçanërisht në sektorë kyç, si: ekonomia, tregtia, arsimi dhe bujqësia, të cilat ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për përfitim reciprok”.

“Gjithashtu u diskutua edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik, i cili do të jetë mundësi e mirë për shkëmbim ndërmjet bizneseve të të dy shteteve”.

Ndërsa, Osmani pohoi se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit, si brenda ashtu edhe në rajon.

Të martën, Osmani ka pranuar letrat kredenciale edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Pas pranimit të letrave kredenciale, Osmani ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme.

Kështu, duke shfaqur besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore