Lajme

Osmani për zjarret në rajon: Kosova e gatshme për t’i ndihmuar miqtë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur përkrahjen e saj për vendet e rajonit të cilat janë përfshirë nga zjarret, ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë miqtë.

Ajo përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se këto pamje që kanë kapluar vendet e rajonit “janë zemërthyese”.

“Ndërsa zjarret e egra vazhdojnë të përhapen në të gjithë rajonin, imazhet nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia janë zemërthyese. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur. Kosova qëndron gati për të ndihmuar miqtë dhe partnerët tanë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar ndihmën e Kosovës drejt Shqipërisë për të ndërhyrë në lokalizimin e zjarreve.

“Zjarrfikësit dhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbrëmë u vendosën në Shqipëri për të ndihmuar në luftimin e zjarreve”, shtoi ajo.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“I nisëm trupat tona të Forcave të Sigurisë së Kosovës në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë”.

Mehaj bëri me dije se krahas operacioneve në Kosovë, ka ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet e tyre në dispozicion për në Shqipëri.

“Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, Niko Peleshin, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Kosovës më në krye kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”, shkruan ministri Mehaj.

Po ashtu, ai theksoi faktin se, “të bashkuar jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore