Lajme

Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut hapi rrugën drejt ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 33-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se akti i miratur nga 114 delegatë më 1990, hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

“Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi”.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, është konsideruar si një prej akteve politiko-juridike më të rëndësishme në historinë e Kosovës nga presidentja Osmani, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar kështu trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Jugosllavisë.

“2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Në oborrin e ish-Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) në Prishtinë, më 2 korrik 1990, 114 delegatë me Deklaratën Kushtetuese do të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave.

Ajo ishte publikuar një ditë më vonë në “Fletorën Zyrtare” të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe ishte shkruar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa përmbante pesë pika kryesore që ndryshuan historinë e Kosovës.

Për aspektin juridik të Deklaratës Kushtetuese ishte përkujdesur akademiku i ndjerë, Gazmend Zajmi, nismëtar i dokumentit që kurorëzoi kërkesat e kohës, që do të finalizohej me Pavarësinë e Kosovës 18 vjet më vonë (17 shkurt 2008).

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Deklerata Kushtetuese e shpallur nga 114 delegatë zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit (10 korrik 1945) me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar Rezolutën e Bujanit, kishte aneksuar Kosovën.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë (1974), që i ishte bërë atëherë nga Serbia. Veprimi është pasuar dy muaj më vonë edhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990).

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte manifestimi i parë i strukturave legale të sistemit, që mësynin mëvetësinë e plotë dhe njëherësh dokumenti i parë i firmosur si vullnet i shqiptarëve të Kosovës, në historinë e rrugëtimit shtetformues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore