Lajme

Procesi i dialogut po bëhet më i vështirë, Asociacioni s’duhet të jetë një pushtet i ndërmjetëm, thotë Osmani


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon.

Ajo gjatë fjalimit të saj ka kritikuar edhe komunitetin ndërkombëtar për mungesë të balancit dhe qasjes së trajtimit jo të barabartë në dialog, e cila sipas saj, ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi.

“Kosova akoma përballet me masa të padrejta të cilat prekin drejtpërdrejtë interesin e qytetarëve. Në anën tjetër duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë goditje për vetë kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi”.

Osmani gjatë fjalimit të saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, draft ky i hartuar nga partnerët e i pranuar nga Kosova.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Osmanit, qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.

“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, tha Presidentja Osmani.

Osmani: Askush dhe asgjë s’do ta largojë Kosovën nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili po bojkotohet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e nisi me sulmin terrorist të 24 shtatori në Banjë të Zveçanit duke akuzuar Serbinë se qëndron prapa këtij agresioni.

Osmani, megjithatë tha se askush  dhe asgjë nuk do ta largojë Kosovën nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e Ligjit në gjithë territorin tonë.

“Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurte dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj pa dallim”, tha fillimisht ajo.

Sulmi i 24 shtatorit, sipas saj, dëshmoi sërish profesionalizmin dhe guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Ajo ndër të tjera vlerësoj se politika e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është politika e djeshme e Millosheviç-it.

“Prandaj ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund, Banjska ishte vetëm një paralajmërim dhe Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta, në esencë Serbia me veprimet e saj po e godet të gjithë Evropën”.

Osmani, ndër të tjera ka theksuar se anëtarësimi në NATO është prioriteti numër një i Kosovës ndërsa  përkushtimi ndaj integrimit evropian është i palëkundur

Sipas Osmanit, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

“Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Presidentja Osmani.

Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga, Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në BE, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.

“Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova dhe i  gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë, se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore