Lajme

Opozitarja serbe, Stano-s: Përshkruani si duhet situatën në Serbi


Marinika Tepiç

Nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi, Marinika Tepiç, në një letër të hapur për zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Petar Stano, i ka thënë se pretendimet se Perëndimi ndërhyn në procesin zgjedhor në Serbi dhe qëndron prapa protestave të opozitës në Beograd, “nuk janë nisur nga Rusia, por nga Aleksandër Vuçiç, dhe Partia Progresive Serbe (SNS), përmes deklaratave të zyrtarëve të saj dhe mediave, të cilat ajo i kontrollon dhe redakton plotësisht”.

Këto komente, Tepiç i ka bërë pasi që Stano në një konferencë për media të hënën, duke komentuar pretendimet e presidentit serb Vuçiç, se BE-ja organizoi protestat në Serbi me qëllim të rrëzimit të qeverisë së partisë së tij dhe se një njohuri e tillë ishte marrë nga shërbimet e inteligjencës ruse, deklaroi se “disa pretendime se BE po përpiqet të ndërhyjë ose inkurajojë procesin e drejtuar kundër qeverisë së Serbisë, janë pretendime ruse që duhet të trajtohen”.

Petar Stano

“Është e padiskutueshme që pala ruse është e lumtur për pretendime të tilla, por është e padiskutueshme që vetë ambasadori rus në Serbi (Aleksandër) Bocan Harchenko deklaroi se presidenti Vuçiç e informoi atë se Perëndimi qëndron pas protestave. Është gjithashtu e padiskutueshme që Aleksandër Vuçiç, asnjëherë nuk i ka mohuar pretendimet e ambasadorit Bocan Harçenko”, i ka thënë Tepiç Stanos në letrën e saj.

Është gjithashtu e padiskutueshme, ka shtuar ajo, “që kryeministrja Brnabiç falënderoi publikisht shërbimet ruse për ndihmën e tyre, e cila u botua me pompozitet në të gjitha tabloidet dhe televizionet vendase që janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Aleksandër Vuçiç-it”, ka shkruar Tepiç.

Opozitarja serbe i ka kërkuar Stano-s që ta përshkruajë situatën në Serbi me fjalët e duhura.

“Unë po ju kërkoj të filloni të përdorni fjalët e duhura për të përmendur atë që jetojmë këtu dhe çfarë kalojmë në luftën për demokraci, liri dhe drejtësi”, pohoi ndër të tjera ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore